“Duan të më vrasin” alarmi i rrejshëm i Mustafës që shqetësoi komunitetin e gazetarëve

“Duan të më vrasin” alarmi i rrejshëm i Mustafës që shqetësoi komunitetin e gazetarëve

Para dy ditësh gazetari nga Mitrovica Musa Mustafa, i cili është edhe kryeredaktor i portalit “Infojeta”, njoftoi se ishte kërcënuar me jetë përmes një porosie në gjuhën serbe që e kishte pranuar në telefonin e tij.

“Sot në mbrëmje kam marrë një kërcënim përmes një sms-i në telefon, se do të vritem dhe se do të ma zhdukun edhe familjen. Në këtë kërcënim më tutje thuhet se do të më zhdukin edhe ‘farën’ shqiptare, nëse shkruaj më kundër serbëve. Sms-i është dërguar në gjuhen serbe nga një numër i IPKO-së, qe sipas policisë tani më nuk është i qasshëm në rrjet”, pati thënë Mustafa.

Por Policia e Kosovës sot njoftoi se kërcënimi  ka qenë i rrejshëm dhe se ndaj gazetarit Mustafa, i cili ka punuar për disa vite me radhë në Gazetën Koha Ditore, kanë nisur hetime.

“Provat tjera të siguruara kanë ngritur dyshime të arsyeshme të bazuara për vepër tjetër penale ndaj ankuesit  në fjalë, ndaj të cilit është iniciuar kallëzim penal për vepër penale ‘lajmërim apo kallëzim i rremë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Insajderi  ka provuar të kontaktoj me gazetarin Mustafa mirëpo ai nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Lidhur me “kërcënimin” kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në Amerikë.

CPJ i bënte thirrje policisë së Kosovës të hetojë me kujdes dhe me shpejtësi kërcënimet me vdekje ndaj gazetarëve.

“Ne i bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë për të kryer hetime të kujdesshme dhe të shpejta në kërcënimet kundër Arbana Xharra dhe Musa Mustafa dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë për të penguar të tjerët nga kjo sjellje e shëmtuar dhe të papranueshme”, thuhej në njoftim të CPJ.

Ndërkaq AGK kërkonte nga organet që ta hetojnë këtë rast sa më parë, duke shtuar se raste të tilla të kërcënimeve kanë filluar të shpeshtohen ditëve të fundit.

“Dhe se kjo paraqet shqetësim serioz për komunitetin e gazetarëve në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Insajderi.com