15 kandidatë për pozitën e guvernatorit pritet të intervistohen të martën. Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Arben Mustafa, Safet Merovci, Mustafë Hasani, Besnik Krasniqi, Flamur Keqa, Ilir Aliu, Driton Qehaja, Besnik Bislimi, Avni Jashari, Bashkim Isufi, Naser Rusinofci dhe Kujtim Dobruna, janë përzgjedhur në fazën e parë. Shumica e kandidatëve ose janë politikanë, ose kanë lidhje të forta me politikën. Mes kandidatëve është edhe një ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Politikanë, ish-deputetë, kandidatë për deputetë, ish-ministra, të dyshuar për afera korruptive, e të shkarkuar nga pozita për keqmenaxhim, ia kanë mësyrë pozitës së guvernatorit të Bankës Qendrore.
Prej 26 kandidatëve që kanë aplikuar për guvernator, Bordi i BQK-së ka përzgjedhur 15 prej tyre për t’i intervistuar të martën.
Insajderi ka siguruar listën e plotë të kandidatëve të përzgjedhur për fazën e dytë – atë të intervistimit.
Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Arben Mustafa, Safet Merovci, Mustafë Hasani, Besnik Krasniqi, Flamur Keqa, Ilir Aliu, Driton Qehaja, Besnik Bislimi, Avni Jashari, Bashkim Isufi, Naser Rusinofci dhe Kujtim Dobruna, pritet të intervistohen nga Bordi i BQK-së.
Gara për guvernator është hapur pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga kjo pozitë. Ai qe emëruar dy muaj më parë në pozitën e ministrit të Financave në Qeverinë e drejtuar prej Ramush Haradinajt.
Po kush janë kandidatët për guvernator?
Më 11 shtator 2017 Fehmi Mehmeti është emëruar nga Bordi i BQK-së për ushtrues detyre të guvernatorit deri në zgjedhjen e guvernatorit të ri. Paraprakisht, më 1 shtator 2013 ishte emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 1999-2001 ai ka punuar në Kuvendin Komunal në Vushtrri, fillimisht si zyrtar në Departamentin e Financave, e pastaj si drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Në periudhën 2001-2011, Mehmeti ka mbajtur pozita të ndryshme në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ndërsa në periudhën 2011-2013 Mehmeti ka qenë fillimisht zyrtar kryesor për buxhet dhe financa, Departamenti i Financave, e pastaj si Shef Kabineti i Kryeshefit Ekzekutiv në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Gjatë viteve 2011-2012 është angazhuar si bashkëpunëtor i jashtëm, ligjërues në Universitetin e Prishtinës.
Shkëndije Himaj momentalisht mban pozitën e këshilltares së Lartë të Bordit Ekzekutiv për çështje të sektorit financiar në Bankën Qendrore të Kosovës dhe kohë pas kohe edhe ligjëron. Himaj, ka qenë nën hetime për shpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e Hashim Rexhepit. Por, hetimet kundër saj ishin mbyllur pa u ngritur aktakuza në mungesë të provave.
Kandidati tjetër, Arben Mustafa aktualisht është këshilltar në Bankën Qendrore të Kosovës.
Kandidati Safet Merovci ka një lidhje të gjatë dhe të shumëfishtë me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë prodekan në Fakultetin Ekonomik në periudhën 2011-2012. Ka qenë këshilltar i kryeministrit Bajram Rexhepi (2002-2004). Ka qenë po ashtu anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së. Ka mbajtur pozitën e ministrit të Financave në Qeverinë e përkohshme 1999-2000.
Safet Merovci ishte bërë lajm i madh vitin e kaluar. Vetëm në janar të vitit 2016 ai kishte marrë 7 mijë e 289 euro pagë mujore në UP. Për katër muajt e parë të vitit 2016, Merovci kishte marrë një pagë mesatare prej rreth 4 mijë eurosh.
Merovci e kishte arsyetuar pagën me angazhimin e tij në universitet.
Kandidati Mustafë Hasani një kohë ka mbajtur pozitën e kryeshefit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Por, Bordi e kishte shkarkuar nga detyra për shkak të keqmenaxhimit.
Shkarkimi i tij është bërë në gusht të këtij viti. Hasani kishte thënë se vendimi për shkarkimin e tij është i jashtëligjshëm.
“Bordi i Drejtorëve në bazë të kompetencave dhe të përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, ka marrë vendim që të lirojë nga detyra kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it, Mustafë Hasanin. Ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it deri në një vendim tjetër është emëruar zv.kryeshefi aktual për operim Kadri Kadriu”, kishte njoftuar KOSTT.
Në kohën e prurjeve të reja pak para zgjedhjeve të përgjithshme në qershor të këtij viti, Lidhjes Demokratike të Kosovës i qe bashkuar edhe Besnik Krasniqi. Krasniqi, ekonomist me profesion, ka qenë kandidat i LDK-së për deputet. Por, nuk ka arritur të marrë vota të mjaftueshme për të fituar pozitë deputeti.
Ndërkohë, i ka hyrë garës për guvernator.
Flamur Keqa një kohë të gjatë ka punuar në Odën Ekonomike të Kosovës. Keqa ka qenë edhe drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në MTI dhe anëtar i Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale. Ai ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit në MTI për shkak të konfliktit të interesit.
Ilir Aliu, një kohë të gjatë ka qenë drejtor i Bankës Ekonomike. Nga kjo pozitë ka dhënë dorëheqje.
Një tjetër anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka hyrë garës për guvernator. Driton Qehaja, prej vitit 2005 deri në vitin 2010 ka qenë këshilltar politik i kryeministrit në tri qeveri. Ai ka mbajtur pozitë të anëtarit të Bordit në Trustin e Kursimeve Pensionale. Po ashtu është ligjërues në Universitetin e Prishtinës.
Në zgjedhjet e fundit Qehaja ka prezantuar programin ekonomik të PDK-së në cilësi të ekspertit të kësaj partie.
“Për ta bërë rritjen ekonomike tetë për qind e kemi një bazë, që jemi në 3.5 për qind. Jemi në një periudhë që quhet periudhë e tranzicionit ekonomik, prandaj ne mund të arrimë zhvillim. Është jashtëzakonisht kredibile të thuhet se do të ketë rritje tetë për qind me këtë bazë”, kishte thënë ndër të tjera Qehaja në një debat në Klan Kosova.
Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë kundër Bedri Hamzës kur ishte zgjedhur guvernator. Arsyetonte se është i politizuar dhe nuk mund ta udhëheqë një institucion të pavarur siç është BQK-ja.
Megjithatë, një anëtar i Vetëvendosjes i ka hyrë garës për guvernator. Ish-deputeti Besnik Bislimi është në listën e 15 kandidatëve. Ai ka qenë deputet i këtij subjekti në mandatin e kaluar.
Avni Jashari është zëvendësdrejtor menaxhues në Agjencinë e Privatizimit. Jashari kishte qenë personazh i një afere të dyshimtë.
Koha Ditore kishte raportuar në vitin 2015 se si buxheti i AKP-së ishte dëmtuar për 312 mijë euro si pasojë e një kontrate me kompaninë “IP Kos” për lëshimin 10 pompave të benzinës me qira. Gjithë përgjegjësinë për këtë kontratë e kishte Avni Jashari.
Për këto qira nuk kishte votuar bordi sepse ishte jofunksional. Nuk kishte as drejtor ekzekutiv, e as zëvendësdrejtor ekzekutiv. Avni Jashari ishte ushtrues i detyrës së zv.drejtorit ekzekutiv.
Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet preliminare për tenderin e AKP-së për dhënien me qira të 10 pikave të shitjes së karburanteve.
Qiradhënia e 10 pikave është nisur në fillim të vitit 2014 dhe se ishte përfunduar me nënshkrim të kontratës në mes të AKP-së dhe kompanisë “IP Kos” në vlerë mujore prej 51 mijë e 700 eurosh, apo 620 mijë e 400 euro brenda një viti.
Kandidati tjetër, Bashkim Isufi, ka qenë këshilltar i ish-ministrit Ahmet Shala.
Një kandidat krejtësisht i pavarur për guvernator, është Kujtim Dobruna. Ai është udhëheqës i Nismës Ekonomike për Kosovën në Vjenë (ECIKS) me një përvojë rreth 15 vjeçare në menaxhment, në fushën e investimeve të huaja, diplomacisë ekonomike, zhvillimit të sektorit privat, konsulencës menaxheriale dhe të ngritjes së kapaciteteve institucionale.
Dobruna ka studiuar për Administrim Biznesi në Vjenë, ka titullin Master i Administrimit të Biznesit nga Open University në Britani të Madhe dhe certifikim në Menaxhimin Strategjik nga Universiteti i Harvardit.
Bordi i BQK-së pritet që dy apo tre kandidatë për guvernator t’ia propozojë Qeverisë. Ndërkaq këta kandidatë Qeveria i dërgon në Kuvend. Kandidati që merr më shumë vota zgjidhet guvernator me mandat pesëvjeçar./Insajderi.com