Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, pas votimit në komitetin LIBE, tha se ka marrë mbështetjen për raportin dhe rekomandimet e saj për lëvizjen e lirë për Kosovën, por “nuk ka marrë një mandat për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së për çështjen e vizave për Kosovën”.
Tanja Fajon shprehi kënaqësinë që “ka marrë një votë më shumë për raportin e saj, por tha se tani varet nga Kosova kur do të përmbushë kriteret e përcaktuara për t’i hapur mundësinë që ta fus në votim në seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Na thoni se çfarë ndodhi në Komitetin LIBE. Ju morët shumicën e votave për raportin por jo edhe për fillimin e negociatave. Çka do të ndodh tani?
Të jemi të qartë, nuk ka më nevojë për kthim në LIBE për të marrë mandatin për kornizën negociatore?
Tanja Fajon: LIBE më dha mbështetjen me një votë më shumë. Nuk është mbështetja më e madhe, por jam e kënaqur se morëm këtë mbështetje, sepse në orët e fundit situata ishte shume e tensionuar. Ne nuk do të diskutojmë më për raportin për Kosovën ne LIBE. Unë kam mandatin që të vazhdojë, por do të shoh se kur do ta vendos në seancë plenare sepse tani është vërtetë në duart e Kosovës.