Haliti ka një porosi për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës

Haliti ka një porosi për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti konsideron se kërkesa e drejtuesve të LDK-së në 27-vjetorin e kësaj partie për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës është e drejtë, por që sipas tij, nuk duhet të përdorët për fushatë elektorale nga ana e tyre.

Haliti ka dhënë katër arsye për të cilat vlerëson se duhet të ndodh zbardhja e vrasjeve politike që kanë ndodhur pasluftës në Kosovë.

“Së pari, ne kemi ndërtuar institucione të specializuara në të gjitha fushat. Së dyti, Ministrinë e Brendshme e drejton LDK-ja. Së treti, prokuroria është krejtësisht e pavarur për të vepruar për çështjet në fjalë. Së katërti, mendoj që është e domosdoshme që këto vrasje të zbulohen por jo të përdorën për fushata elektorale, por organet e specializuara të veprojnë me intensitetin më të madh të mundshëm duke mos e kursyer askënd që të zbulohet çdo vrasje që ka ndodhur në Kosovë dhe çdo krim që ka ndodh në Kosovë”, tha Haliti për Gazetën Blic.

Më tej, Haliti ka thënë se përveç vrasjeve politike, duhet të ndodh edhe zbardhja e vrasjeve të gazetarëve dhe çdo vrasje tjetër që ka ndodhur përfshirë edhe krimet e Serbisë në vend.

“Unë nuk e di në çfarë konteksti e kanë thënë ata, por unë mendoj që duhet të zbardhën. Ata si parti, njerëzit e LDK-së kanë kërkuar çdoherë që të zbardhën dhe është e drejtë e tyre. Unë mendoj që duhet të zbardhen edhe vrasjet e gazetarëve, qytetarëve dhe të gjitha vrasjet që kanë ndodhur këtu, përfshirë edhe krimet e Serbisë”, ka shtuar Halimi.