Haziri akuzohet se dëmtoi Gjilanin për 168 mijë euro, favorizoi biznesmenin e dënuar me burg

Haziri akuzohet se dëmtoi Gjilanin për 168 mijë euro, favorizoi biznesmenin e dënuar me burg

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri do të përballet në gjyq me akuzat se ka favorizuar një biznesmen me të kaluar kriminale. Biznesmeni ka mbiemër të ngjashëm me kreun e Gjilanit. Është Fitim Haziri, përfaqësues i kompanisë “SO. BEZI”.

Kontrata e lidhur mes dy Hazirëve vlerësohet si e kundërligjshme nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Prokuroria njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë ndaj Lutfi Haziri. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale-keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Sipas aktakuzës L.H., duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që për vete ose për persona tjerë të përfitoi çfarëdo dobie, duke ua shkelur të drejtat e pjesëmarrësve tjerë në ankand publik”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Bazuar në këtë njoftim, kryetari i Gjilanit, më 13 qershor të vitit 2014, kishte marrë vendim për shpalljen publike për dhënien me qira të parkingjeve brenda qytetit të Gjilanit.

Ndërkaq, më  1 gusht të vitit 2014, lidhur me këtë Ankand publik, ka nënshkruar kontratën në mes të Komunës së Gjilanit, të cilën e ka përfaqësuar, dhe përfaqësuesit – pronarit të NTP “S.O. BEZI ” F.H.

“Pas një muaji jo të plotë përfaqësuesi i kompanisë NTP “ SO. BEZI”, ka bërë kërkesë për ndryshimin e kontratës, ku ka kërkuar që të reduktohet kontrata duke i hequr disa parkingje që nuk kanë sjell fitime të mira”, thuhet në njoftim

Autoritetet komunale kishin plotësuar kërkesën e kësaj kompanie private.

Më  9 tetor 2014, Lutfi Haziri nënshkroi aneks kontratën mes përfaqësuesin e kompanisë NTP “SO.BEZI”.

“Me këtë aneks kontratë Komuna e Gjilanit është dëmtuar në vlerë prej 168.000,oo euro, (për çdo vit nga 33.600,oo euro), pasi që kontrata është e nënshkruar për 5 vjet.  Kjo rrjedh pasi që me kontratën e parë biznesi  “S.O Bezi” ka qenë i obliguar që në emër të qeras të paguaj vlerën vjetore prej 54.120,oo euro, ndërsa, me aneks kontratën është zvogëluar obligimi për biznesin e lartcekur kështu që tani është i obliguar që të paguaj çmimin prej 20.520,oo euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Por kush është biznesmeni Fitim Haziri që u favorizuan nga komuna e Gjilanit?

Ai ka të kaluar kriminale dhe ka vuajtur dënimin me burgim për një vepër të kryer më 16 nëntor të vitit 2012. Ishte dënuar me tetë muaj burg, por Apeli më 2015 kishte vendosur t’ia ulte dënimin në vetëm tre muaj burg.

Gazeta Jeta në Kosovë në nëntor të vitit 2015 ka raportuar për vendimin favorizues të kryetarit Haziri. Bazuar në këtë raportim, biznesmeni Haziri përveç veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, kishte kryer edhe vepra të tjera.

Më 2005 ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”. Kjo lëndë është parashkruar.

Në vitin 2007 ka kryer Veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, e kishte kryer më 2007 dhe ishte dënuar me gjobë në vlerë prej 250 eurosh.

Në vitin 2004 ishte dënuar për veprën penale “kanosje”, për të cilën ishte dënuar me gjobë prej 150 eurosh.

Ndërsa më 2007 kishte kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, por nuk ishte dënuar pasi lënda ishte parashkruar.