Prokuroria e shtetit në Shqipëri, me kërkesë të autoriteteve kosovare po ndihmon në zhvillimin e hetimeve ndaj ish-kryeministrit në ekzil të Kosovës, Bujar Bukoshit lidhur me keqpërdorimet e mundshme në Fondin e Tre Përqindëshit. Në këtë hetim, përveç Bukoshit janë të përfshirë edhe Naser Osmani e Atdhe Gashi, ish-këshilltar i Bukoshit.
Veprimet hetimore mësohet se në muajin prill të këtij viti i janë ngarkuar Prokurorisë së Tiranës, shkruan sot gazeta shqiptare “Panorama”.
“Kërkesa për hetim ka mbërritur në Tiranë nga Prokuroria Speciale e Kosovës në datën 15 janar 2016 dhe mban numër protokolli 190/1”, ka mësuar Gazeta Panorama nga burime e saj brenda Prokurorisë.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se Bujar Bukoshi, Atdhe Gashi dhe Naser Osmani janë duke u hetuar nëse kanë kryer veprat penale të dyshuara “shpëlarje e parave” dhe “shpërdorim” në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.
Për këtë hetim të nisur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kjo e fundit ka kërkuar kryerjen e verifikimeve të nevojshme në Shqipëri në lidhje me tre personat e dyshuar.
Veprimet hetimore konkretisht kanë të bëjnë me identifikimin e llogarive bankare apo pasurive të paluajtshme në emrat e Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.
Në pamundësi ligjore e procedurale për t’i kryer vetë veprimet e nevojshme në Shqipëri, Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar letërporosi për ndihmë juridike në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë.
Kjo e fundit, duke parë se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës kishte të bënte me kryerje veprimesh hetimore, e ka përcjellë letërporosinë në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila ia ka deleguar më pas kryerjen e veprimeve Prokurorisë së Tiranës. Mësohet se prokuroria e Tiranës ka kryer një sërë veprimesh që nga fillimi i muajit mars 2016 e në vazhdim.
Sipas letërporosisë, të gjitha informacionet e mbledhura në banka, në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe kudo tjetër, prokuroria do t’ia dërgojë palës kosovare me letërporosi për t’u përdorur në efektin e provës penale.
Insajderi ka raportuar në shkurt të këtij viti se prokuroria kosovare ka nisur hetimet ndaj tre vetave lidhur me fondin e 3 përqindëshit.
Baza e hetimeve është bërë një raport i Qendrës së Inteligjencës Financiare (FIC) që është hartuar gjatë hetimeve kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe të tjerëve, në vitin 2012. Raporti hetimor që i ishte dorëzuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është publikuar në muajin shkurt nga Insajderi.
Dokumenti flet për tërheqje të mbi gjysmë milioni euro nga Fondi i Republikës së Kosovës gjatë viteve 2006-2011.
Këto para janë tërhequr nga bankat në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë, ku janë të deponuara fondet e 3 përqindëshit.
Të dhënat e këtyre fondeve, tregojnë se Fondi i Republikës së Kosovës-i regjistruar si OJQ– ka llogari në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë. 16 transaksionet bëhet fjalë për shtatë, deri në 50 mijë euro.