Janë sfera të ndryshme në të cilat Gani Dreshaj është përfolur viteve të fundit. Nisin me striptiz e përfundojnë në politikë.
Së fundmi, ai doli të jetë paguesi i shpenzimeve të avokatit të liderit të Ramush Haradinajt në gjykatën e Colmarit.
Vet Haradinaj tha se Gani Dreshaj ka paguar fiks 70 mijë euro aq sa janë bërë shpenzimet e avokatit të tij francez.
Por historia e Gani Dreshajt është e lidhur me biznes dhe politikë. Biznesin ai e ka të shtrirë në Kosovë dhe jashtë vendit.
E jashtë vendit është përfolur të jetë edhe një pronar i një klubi të striptizit.
Media të huaja kishin raportuar se ai është pronar i klubit ‘Dollhouse” që gjendet në Gjermani.
Ai madje ishte bërë i njohur edhe për deklaratën e tij se “konsumi i alkoolit tek të rinjtë në Dollhouse duhet të ndalohej”. Në mediat gjermani ai ishte paraqitur si baba i tre fëmijëve që i “lëndohet zemra kur sheh pirjen e alkoolit”.
Por në Kosovë ai përpos biznesit është i përfshirë edhe në politikë përmes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Por para se të kyçej në politikë ai përmes biznesit kishte lidhur punë me politikanë. Ishte përfolur si ortak i nënkryetarit të PDK-së, Xhavit Haliti, në kompaninë “DBBH Kosova Clinic Management” me numër regjistrimi 70405407, e regjistruar më 25 janar 2007.
Aktivitetet e saj të përshkruara në formularin në Agjencinë për regjistrimin e bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ishin hotelet, motelet dhe restorantet, përgatitja dhe dhënia e barnave sipas recepturës, tregtia me pakicë e mjeteve mjekësore dhe ortopedike, veprimtaritë e mjekësisë sociale, veprimtaritë e spitaleve, veprimtaritë e praktikës stomatologjike, veprimtaritë e tjera të rekreacionit, ndërtimi i lartë dhe i ulët. Kapitali i saj ishte i deklaruar 25.000,00 euro.
Gani Dreshaj ishte kandidat për deputet nga radhët e AAK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën ne vitin 2014 , mirëpo i njëjti nuk arriti t’i fitonte votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e asaj legjistlature.
E Dreshaj që është pronar edhe i kompanisë “Sinaalco” kishte kishte dështuar ta blinte Banjën e Pejës.
Ai nuk kishte mundur të paguante me kohë shumën të cilën e kishte ofruar për blerjen e kësaj ndërmarrje.
E Haradinaj nuk e ka përmendur nëse Dreshaj do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet në AAK, në zgjedhjet e parakohshme që sipas Haradinajt priten të mbahen në qershor./Insajderi.com