Kryeministri Ramush Haradinaj kishte urdhëruar ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqi që ta shkarkojë Bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim duke i thënë se “ka pasur qasje në disa informacione të klasifikuara” që i inkriminon anëtarët e këtij bordi. Ministri e kishte marrë vendimin për shkarkim, por më vonë, kishte dalë se “informacionet sekrete” të kryeminsitrin nuk kanë qenë të vërteta. Insajderi do të sjellë të tjera detaje rreth serisë së ngjarjeve që quan në përjashtimin e Kosovës nga organizata kryesore e BE-së që vlerëson cilësinë në arsimin e lartë në Evropë
Herbert Amato një nga tre anëtarët ndërkombëtarë në Bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim është rikthyer në krye të këtij Bordi, edhe pse në shtator të vitit të kaluar ishte shkarkuar nga ky Bord me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Edhe pse Qeveria kishte emëruar Bordin e ri, Kosova u përjashtua nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (European Quality Assurance Register for Higher Education – EQAR) pasi kjo organizatë nuk kishte marrë nga Qeveria arsyet konkrete pse është shkarkuar bordi paraprak.
Letrat e këmbyera mes EQAR-it dhe ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi bashkë me letrat e ish-presidentit të Bordit të AKA-së, Blerim Rexha dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Akredimit, Bekim Samadraxha, qesin në pah se kryeministri Ramush Haradinaj kishte urdhëruar shkarkimin e Bordit duke u bazuar në disa “informacione të klasifikuara” që më vonë kishin dalë të pavërteta.
Letërkëmbimet mes këtyre janë publikuar në vendimin e EQAR-it për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Insajderi ka gjetur se gjithcka nisi me një letër që i kishte dërguar EQAR-it me 28 shtator 2017, presidenti i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha ku sqaron se e kanë marrë vesh përmes mediave se kryeminsitri Haradinaj ka kërkuar shkarkimin e tyre.
Pas kësaj letre, me 5 tetor 2017, EQAR-i i bënë kërkesë Ministrit të Arsimit që ta informoj rreth shkarkimit të Bordit të Agjencisë së Akreditimit. Letra është e nënshkruar nga Karl Dittrich, president i EQAR-it.
Në këtë letër i kërkojnë të dijnë më shumë rreth arsyeve për shkarkim, pasi ata e dijnë vetëm se janë shkarkuar për shkak të “disa parregullësive” në punën e Agjencisë së Akredimit.
Me 12 tetor 2017, ministri Shyqyri Bytyqi ia kthen letrën EQAR-it duke i thënë se kërkesa për shkarkimin e Bordit ka ardhur nga kryeministri, raporton Insajderi.
Në këtë përgjigje ministri i thotë se “kërkesa për shkarkimin e Bordit të Agjencisë ka ardhë nga Kryeministri, i cili ka pasur qasje në disa informacione të klasifikuara për punën e anëtarëve të bordit”dhe se përkundër faktit se këto informacione nuk i kanë inkriminuar të gjithë anëtarët e Bordit, kryeministri ka kërkuar ta shkarkojë gjithë Bordin. Kështu edhe kishte ndodhur.
Por se këto “informacione të klasifikuara” të kryeministrit Ramush Haradinaj nuk kishin qenë të vërteta, i kishte konfirmuar edhe Bekim Samadraxha, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, i cili po zëvëndësonte Fortuna Mehmetit e që ishte në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtores që nga viti 2015 derisa bordi ishte drejtuar nga Blerim Rexha.
Në letrën e 18 nëntorit 2017, Samadrexha i raporton Colin Tuck drejtorit të EQAR-it, i hedhë poshtë pretendtimet e kryeminsitrit Ramush Haradinaj bazuar në “informacionet e klasifikuara”.
Samadrexha e informon EQAR-in se “nuk ka informata që dikush nga anëtarët e shkarkuar të Bordit apo ish-drejtori i Agjencisë kanë qenë apo janë nën ndonjë hetim ose proces ligjor ashtu sikurse është deklaruar në kërkesën e kryeminsitrit Ramush Haradinajt për ta skarkuar Bordin e Agjencisë për shkak të “parregullsive”.
Më pas e informon EQAR-in sesi anëtarët e shkarkuar të Bordit nuk kanë pasur asnjë mundësi që të përgjigjen zyrtarisht akuzave ndaj tyre pasi që nuk është mbajtur asnjë mbledhje, dhe sesi Agjencia nuk ka pasur qasje në asnjë “informacion të klasifikuar” që përmend kryeministri bashkë me faktin se Agjencia nuk ka pasur akses në asnjë “informacion të klasifikuar që lidhet me punën e anëtarëve të bordit” ashtu sikurse është referuar ministri në letrën e tij drejtuar EQAR-it.
Mungesa e informacioneve të sakta ose arsytimeve konkrete për shkarkimin e Bordit kishte bërë që EQAR të merrte vendim për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Insajderi do të sjellë të tjera detaje rreth serisë së ngjarjeve që quan në përjashtimin e Kosovës nga organizata kryesore e BE-së që vlerëson cilësinë në arsimin e lartë në Evropë./Insajderi.com