Inspektorati i Arsimit kërkon të ngrihet aktakuzë ndaj rektorit Marjan Dema

Gazeta Insajderi ka siguruar kallëzimin penal të cilin Inspektorati i Arsimit në MAShT e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe rektorit Marjan Dema. Krejt kjo kishte nisur kur njëri prej kandidatëve në konkurs për staf akademik ishte ankuar se komisioni vlerësues ia kishte bërë të padrejtë. Inspektorati i Arsimit dhe ai i Punës kishin konstatuar se ankuesi ka të drejtë, kurse sipas tyre, ishte favorizuar (pranuar) kandidati që nuk i plotëson kushte në bazë të konkursit.

Inspektorati i Arsimit kërkon të ngrihet aktakuzë ndaj rektorit Marjan Dema

Bekim Sele është njëri prej kandidatëve që kishte konkurruar në konkursin e Fakultetit të Arteve në UP për staf akademik. Konkursi ishte shpallë më 30 tetor 2016. Ndër tjera, kërkohej edhe profesor për lëndën Teoria e filmit niveli baçelor dhe mastër.

Kandidati Sele nuk ishte përzgjedhë nga Komisioni vlerësues për ta ligjëruar këtë lëndë. Ai kishte konsideruar se i është bërë e padrejtë dhe kishte vendosur të ankohej në Rektorat. Nuk kishte marrë përgjigje. Pastaj ishte ankuar në Inspektoratin e Arsimit të MAShT.

Shkalla e parë e Inspektoratit i kishte dhënë të drejtë Seles në pretendimet e tij, duke kërkuar nga Rektorati ta zbatojë vendimin.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”… Mbetet në fuqi vendimi … i nxjerrë nga inspektorja e arsimit”, thuhet në vendimin e Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MAShT-it.

Rektorati, përmes sekretarit të përgjithshëm, ishte ankua në shkallën e dytë  të Inspektoratit të Arsimit, e cila po ashtu i jep të drejtë kandidatit Bekim Sele.

Moszbatimi i vendimit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Arsimit e detyroi atë të ushtrojë kallëzim penal ndaj UP-së dhe rektorit të saj, Marjan Dema.

Gazeta Insajderi e ka siguruar kallëzimin penal të cilin Inspektorati i Arsimit e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilin kërkon që të ngrihet aktakuzë ndaj tij.

“Prandaj, duke pasur parasysh faktet e prezantuara më lartë kërkojmë nga organi i lartcekur që të ngrisë aktakuzë ndaj Rektoratit të UP dhe Rektorit Marjan Dema, sepse më moszbatimin e vendimeve të DIA është cenuar e drejta nga marrëdhënia e punës për z. Bekim Sele dhe me zgjedhjen e kandidatit të pakualifikuar sipas kritereve të parapara në konkurs është dëmtuar cilësia e procesit mësimor”, thuhet në fund të kallëzimit penal.

Inspektorati i Punës i jep të drejtë kandidatit Bekim Sele

Bekim Sele, njëkohësisht vendos të ankohet edhe në Inspektoratin e Punës. E fiton këtë të drejtë. Rektorati ankohen në shkallën e dytë të këtij institucioni. Por sërish kot, Bekim Sele e fiton rastin.

Por Rektorati deri më tani nuk ka nisur ta zbatojë asnjërin prej vendimeve të këtyre dy institucioneve.

“Organi i shkallës së dytë i IP (Inspektorati i Punës) konstaton se pretendimet ankimore janë të pabazuara, përkundrazi diapozitivi i vendimit të kundërshtuar është i qartë dhe i kuptueshëm dhe përmban arsye për aplikimin e drejtë të dispozitave ligjore dhe mbi faktet vendimtare që vendimin e bëjnë që qartë dhe të kuptueshëm”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës./Insajderi.com