Ipeshkvia e Kosovës ka njoftuar se do të merret me rastin e prifti Don Izidor Koliq, fotografi të papërshtatshme te të cilit u publikuan në media. Po ashtu, kjo bashkësi fetare ka kërkuar edhe nga organet kompetente që ta hetojnë rastin në fjalë.
Megjithatë, reagimi i Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dërguar mediave përmes zëdhënësit Don Fatmir Koliqi është në mbrojtje të priftit Koliq që drejton një institucion shkollor në Kosovë.
Në reagim shkrimet e mediave të ditës së mërkurë cilësohen “pa mëdyshje” me ngjyrime tendencioze “si në metodologji ashtu edhe në përmbajtje”.
“Është një mënyrë dashakeqe për të arrirë qëllime të kamufluara”, thuhet në reagim.
“Shkolla e Don Bosco-s është një ndër shkollat më të mira në Kosovë, me reputacion dhe edukim shembullor. Që nga fillimi i punës së saj, jo që nuk kemi pasur asnjë vërejtje nga familjet e nxënësve, por përkundrazi, kemi pranuar vlerësime të larta për të gjithë stafin drejtues të saj. Misioni i Don Boscos në edukimin dhe formimin e të rinjve është një dhuratë për Kishën dhe Shoqërinë tonë në Kosovë”, vazhdon reagimi i Ipezhkvisë.
“Shprehim keqardhje për shkrime të këtilla që ndjellim dyshime dhe krijojnë huti te qytetarët tanë. Nuk besojmë se do të kenë ndodhur gjëra të palejueshme në Shkollën Don Bosco, dhe besojmë në deklaratën për media që ka lëshuar Shkolla Don Bosco. Megjithatë, ipeshkvi do të interesohet për të zbardhur rastin edhe në detaje, duke ftuar edhe organet kompetente, që të arrihet deri te e vërteta”, thotë deklarata e dërguar nga Don Fatmir Koliqi, Zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës, shkruan gazetaexpress.
Dje në media janë publikuar fotografi të priftit Izidor Koliq në të cilët shihet afërsi ‘e dyshimtë’ e priftit me nxënësit e shkollës të cilën ai drejton, përmes disa pozave të palakmueshme të cilat kanë rrjedhur.
Pas këtyre publikimeve kishte reaguar edhe vetë shkolla ‘Don Bosko’ që kishte konsideruar gjithashtu tendencioze dhe nxjerrje nga kontesti fotografitë në fjalë, duke lenë të kuptohej se gjithë kjo mund të jetë orkestruar nga një ish-punonjës që nuk iu vazhdua kontrata.