Donika Kadaj Bujupi nuk është më në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur në një deklaratë për KTV-në ku ka thënë se vendimi i saj është i pakthyeshëm.
Si arsye ka dhënë ato që i ka quajtur vendime të njëanshme në parti, ndërsa lajmin e kanë konfirmuar edhe në AAK.
“Luhatja aktuale e sidomos marrja e vendimeve të njëanshme, të cilat vazhdimisht po e pengojnë krijimin e një alternative të fuqishme, e cila do të inicionte ndryshimin, është një prej arsyeve që ka zbehur dhe dobësuar ëndrrën për ndryshim në këtë vend, vend i cili nuk e meriton gjendjen në të cilën është, ëndërr për të cilën përherë kam sakrifikuar dhe kam qenë e gatshme të ballafaqohem edhe me burg edhe me çfarëdo sfide tjetër”, ka thënë Kadaj Bujupi në deklaratën e saj me shkrim.
Kadaj Bujupi, njëra prej deputeteve më aktive të opozitës, sidomos në periudhën e fundit kur tri paritë opozitare u bënë bashkë si Opozitë e Bashkuar.
“Situata e krijuar po më imponon që sot me keqardhje t’ju njoftoj se më nuk do të jam pjesë e AAK-së, pjesë e partisë për të cilën kam punuar ditë e natë që 13 vite më parë kur fillova aktivitetin tim. I falënderoj të gjithë mbështetësit e mi dhe ju premtoj se çdoherë do te gjej mënyrën për t’ju shërbyer drejt juve dhe interesave të vendit. Vendimi im hyn në fuqi menjëherë dhe është i pa kthyeshëm”, ka thënë Kadaj-Bujupi për KTV-në./Insajderi