Katër turistë të cilët kishin zgjedhur bregdetin shqiptar për të pushuar gjatë këtyre ditëve, u ndodhi që të jetonin ditën e fundit të jetës aty duke gjetur kështu vdekjen.
As dy javë më parë, më 21 qershor, një burrë 63-vjeçar kishte rënë pa ndjenja në plazhin e Durrësit, ndërsa kishte vdekur rrugës për në spital. I ndjeri ishte banor i Rogozhinës.
Pak ditë më vonë, më 28 qershor, një 78-vjeçar humbi jetën ndërsa po lahej në plazhin e Vlorës. Burri, me vendbanim në Fier, ishte nxjerrë nga uji për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe kishte ndërruar jetë pak minuta më pas.
Dy personat e tjerë janë shtetas të Kosovës.
Një ditë më parë një burrë 46-vjeç nga Kosova ishte nxjerrë nga uji nga pushues të cilët e kishin parë se gjendej në vështirësi. Rrugës për në spital kishte ndërruar jetë.
Ndërsa rasti i fundit është sot, me ç’rast një 75-vjeçar nga Kosova ka gjetur vdekjen pasi është mbytur në plazhin e Velipojës në Shkodër. I moshuari dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.
Ndërsa pushuesit në Tale të Lezhës, vendin ku kosovari ka vdekur një ditë më parë, thonë se mungon shërbimi thelbësor i urgjencës.
Pasi që temperaturat janë shumë të larta, raste të tilla mund të ndodhin gjatë gjithë kohës ndërsa nuk gjendet askush për ti ndihmuar njerëzit në nevojë. Ata vdesin ose në plazh ose rrugës për në spital për të marrë ndihmën e parë të cilët ish dashur ta merrnin menjëherë. /Insajderi.com