KMDLNj: Zyra e Bashkimit Evropian na kërcënoi

KMDLNj: Zyra e Bashkimit Evropian na kërcënoi

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), është shprehur kundër standardeve të dyfishta të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

Dje, pas raportimit të disa medieve, pas reagimit të KMDLNj- së, AAK-së, Nismës dhe reagimeve tjera për ndërhyrjen e shefes së Zyrës së BE-së, Natalyia Apastolova për Asociacioni e Komunave me shumicë serbe, po kjo zyrë e dërgoi një sqarim duke thënë se ajo është keqkuptuar për shkak të përkthimit të dobët.

“Për një ndërhyrje për të cilat raportuan mediet fajin e paska përkthimi i keq që aspak nuk është e besueshme. Në ndërkohë, në numrin zyrtar të KMDLNj-së u lajmërua një zë femre e cila u deklarua se është zëdhënëse e Zyrës së zonjës Apastolova duke akuzuar me një prepotencë KMDLNj-në për raportim joprofesional dhe përhapje të lajmeve të rrejshme”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

“Gjatë komunikimit zonja në fjalë ishte arrogante, imponuese dhe kërcënuese duke kërkuar që KMDLNj-ja menjëherë të dalë në një përgënjeshtrim të reagimit në kohën kur ende nuk kishte sqarim zyrtar të Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe i cili u bë publik vetëm kah ora 18:00”, thuhet më tej në njoftim.

KMDLNj thotë se dje gjatë tërë kohës shumë medie raportonin për ndërhyrje të Apostolovas që kërkonte themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe përkundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që konstaton 24 shkelje të Kushtetutës së Kosovës në Marrëveshjen e Brukselit për themelimin e këtij Asociacioni.

“Thirrjen telefonike të një zyrtareje të Zyrës së BE-së në Prishtinë, pa u bërë publik qëndrimi zyrtar i kësaj zyreje, KMDLNJ-ja e konsideron si kërcënim, shantazhim dhe abuzim të atyre që duhet ta mbrojnë transparencën, llogaridhënien dhe pavarësinë e institucioneve”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

Sipas këtij njoftimi, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë e ka bërë pikërisht të kundërtën duke e përdorur kërcënimin në vend të argumentit.

“Është e papranueshme që thirrjet telefonike, para se të bëhet publik qëndrimi zyrtar të përdoren si mjet bindjeje ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Zyra e BE-së, përkatësisht disa zyrtarë të saj, të pajisur me imunitet dhe në mungesë të llogaridhënies i japin veti të drejtë të bëjnë ç’të duan duke zbatuar standard të dyfishta për çështje që ekskluzivisht i takojnë Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet ndër tjera në reagimin e KMDLNj-së./Insajderi.com