Komuna e Klinës ka zhvilluar gjatë javëve të kaluara një aksion për eliminimin fizik të qenve endacakë në tërë territorin e saj, por janë disa dallime mes asaj çfarë thonë në Komunën e Klinës dhe tenderit të dhënë për vrasjen e qenve.
Në Komunën e Klinës kanë thënë se gjatë ëksaj kohe janë vrarë 460 qenë, dhe për këtë janë shpenzuar 9 mijë e 200 euro.
“Komunës ky aksion i ka kushtuar 9 mijë e 200 euro dhe gjatë këtij aksioni janë vrarë 460 qen endacakë. Lejen për vrasjen e tyre e kemi marrë nga Agjencia e Veterinës”, ka thënë Gjokë Lleshaj, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Klinë.
Por bazuar në Njoftimin për Dhënie të Kontratës së publikuar në fillim të prillit 2016, të dhënë nga Komuna e Klinës, për “eliminimin e qenve endacak bashkë me varrosjen dhe dezinfektimin”, është 15 mijë euro ndërsa numri i qenve të vrarë është planifikuar të jetë 750.
Vrasjen dhe varrosjen e qenve endacak e ka bërë Shoqata e Gjuetarëve “Dukagjini” në Klinë.
Komuna ka pohuar sot për “Kohën Ditore” se gjatë javëve të fundit në këtë komunë me leje të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, janë vrarë qindra qen, me arsyetimin se kishin paraqitur rrezikshmëri për njerëz, megjithëse zyrtarisht asnjë rast i kafshimit të njerëzve nga qentë nuk është regjistruar në këtë komunë./Insajderi.com