Konsulli i Republikës së Kosovës në Bullgari, Lulzim Rifaj ka mohuar t’i ketë sulmuar me sëpatë protestuesit e mbledhur dje në fshatin Vranishtë të Dragashit, për të kundërshtuar ndërtimin e një mini-hidrocentrali.
Por, protesta e qetë, eskaloi në dhunë kur një nga aksionarët e këtij projekti ka sulmuar me sëpatë një nga banorët, para syve të policisë.
E në protestë dyshohet se ishte i përfshirë edhe Konsulli i Kosovës në Sofje të Bullgarisë, Lulzim Rifaj, i cili në një bisedë për Insajderin ka mohuar përfshirjen.
Megjithatë, Rifaj, i cili besohet të jetë njëri nga aksionerët e kompanisë që synon ndërtimin e këtij mini-hidrocentrali në Vranishtë, ka pranuar të jetë ai personi i fotografuar teksa mbante një mjet të rëndë në duar.
“Unë jam [personi në fotografi v.j]. Por unë nuk kam të bëjë të bëjë asgjë me protestën”, thotë Lulzim Rifaj për Gazetën Insajderi. “Unë kam qenë tek protesta, por kam qenë tek kuzhina”, deklaron Rifaj.
I pyetur se a mbante sëpatë në duart e tij, Rifaj nuk ka treguar se çfarë mjeti mbante në duar, por ka thënë se ishte fotografuar në pjesën e brendshme të puntorisë, jo tek pjesa e jashtme e saj – ku po qëndronin protestuesit.
“Aty është punëtori. Ka edhe druna edhe sëpata, kështu që mund të them se nuk kam qenë unë tek protestuesit”, ka thënë Rifaj, duke mohuar të ketë qenë i përfshirë në protestë.
Konsulli Rifaj ka deklaruar se në përleshje është përfshirë një person që kishte ardhur nga Austria, për të protestuar. Rifaj thotë se nuk e njeh plotësisht këtë person, por ai pretendon se Policia e Kosovës tashmë është në kërkim të këtij personi.
“Në përleshje është përfshirë edhe një njeri me mjekërr që ka ardhur nga Austria, me sa e di unë, dhe policia ende është duke e kërkuar këtë person”, ka thënë Rifaj, raporton Insajderi.
Rifaj po ashtu është shprehur se ka pasur një takim “frytdhënës” me protestuesit.
“Unë jam takuar me protestuesit, ata më kanë kërkuar falje për këtë që ka ndodhur dhe unë i kam siguruar atyre qetësi, dhe se shteti do t’i ndihmojë atyre. Ka qenë një takim shumë frytdhënës me protestuesit”, ka thënë Konsulli i Kosovës në Bullgari. /Insajderi.com
Insajderi sjell hulumtimin për historinë e EL Chapo`s kosovar: I burgosuri që përfitoi 11 tenderë