Lirimi i tre gazetarëve të Gazetës Express, Artan Haraqija, Halil Halili dhe Ilir Ajdini, për kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekrija Shabani, nuk duhet të nënkuptoj edhe fundin e kësaj historie.
Sipas tij, akti i arrestimit të gazetarëve në Maqedoni dëshmon mungesë të demokracisë dhe lirisë së gazetarëve për të ushtruar profesionin në këtë shtet. Andaj Shabani kërkon që autoritet e Maqedonisë të japin llogari për këtë veprim.
“Autoritetet maqedonase duhet të japin llogari për këtë veprim”, ka shkruar Shabani në profilin e tij në Facebook.
Arrestimi i tre gazetarëve të Express, sipas Gazetës Express është bërë në orët e pasdites në kryeqytetin maqedonas, pavarësisht se autoritetet e atjeshme ishin të njoftuara për aktivitetin e tyre. Kryeredaktori Leonard Kerquki ka thënë se policia maqedonase nuk e ka lënë t’i afrohet stacionit policor ku janë mbajtur gazetarët.