Kur Haradinaj thoshte se Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një zv/ministër

Kur Haradinaj thoshte se Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një zv/ministër

Një javë pasi ishte formuar qeveria e re e Kosovës me kryeministër Isa Mustafën, në dhjetorin e vitit 2014, Ramush Haradinaj kishte reaguar për një çështje. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cilësonte të pakuptimtë rritjen e numrit të zëvëndësministrave në qeverinë e sapoformuar.

“Me një gjendje socio-ekonomike siç po gjendet Kosova, Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një zëvendësministër”, kishte shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook, më 16 dhjetor të vitit 2014.

Haradinaj e konsideronte abuzim me pushtetin emërimin e më shumë se një zëvendësministri në ministritë e qeverisë. Thoshte se është domosdoshmëri të zvogëlohet numri i kabinetit qeveritar.

Të nderuar qytetarë të vendit,Me një gjendje socio-ekonomike siç po gjendet Kosova, Qeveria nuk guxon të ketë më shumë…

Posted by Ramush Haradinaj on Tuesday, 16 December 2014

“Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin”, kishte thënë Haradinaj, raporton Insajderi.

Por, tre vjet pas këtij reagimi, Haradinaj u vu në krye të Qeverisë së Kosovës. E veprimet të cilat Haradinaj i cilësonte “abuzuese me pushtetin”, janë duke u ndërmarrë në qeverisjen e tij.

Numri i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj, për tre muaj qeverisje, ka kapur shifrën e 60 emërimeve. Janë plotësisht 60 zëvendësministra të emëruar deri tani, në 21 ministri. Ministria që mban rekordin për numrin më të madh të zëvendësministrave është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me gjashtë të tillë.

Haradinaj u emëruar kryeministër i Kosovës më 9 shtator të këtij viti. /Insajderi.com