Adem Grabovci, protagonist kryesor i Dosjes së Shefave – një seri përgjimesh telefonike të publikuara nga Gazeta Online Insajderi ku dëshmohet se si zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës shtrijnë ndikimin në institucionet e pavarura të vendit – ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]
Ai ka njoftuar se dorëheqja e tij vije si pasojë e publikimit të këtyre përgjimeve, pasi që sipas tij, “këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time.”
Më poshtë lexoni letrën e plotë të Grabovcit:
Ditëve të fundit janë publikuar biseda në medie të cilat kanë pasur për objekt emrin dhe autoritetin tim politik e njerëzor. Me siguri këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time.
Me qëllim të reagimit tim moral dhe politik ndaj një çështje të tillë dhe hapjes së mundësisë së trajtimit adekuat ligjor të këtij rasti, i cili ka prekur edhe privatësinë, por edhe autoritetin e subjektit politik dhe timin personal, ofroj dorëheqje nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së.
Unë jam përpjekur vazhdimisht që angazhimi im të jetë çdo herë në kuadër të ligjeve dhe normave demokratike dhe për të mirën e vendit dhe qytetarëve tanë. Vazhdoj të besoj se të gjithë duhet të angazhohemi për një shtet demokratik, ku respektohet ligji, por edhe liritë individuale të secilit prej nesh. Do të vazhdoj të mbroj të drejtat e mia, por edhe të secilit qytetar kur ato cenohen si dhe të respektoj institucionet dhe shtetin tonë.
Gjatë jetës sime dhe aktivitetit politik jam atakuar shpesh dhe pasojat nuk janë bartur vetëm nga unë, por edhe nga grupimi politik dhe nga familja ime, që çdo herë ishin afër meje sikur edhe në rastin në fjalë. E di se në momente të caktuara edhe jam sfiduar, por edhe i kam tejkaluar ato, në një mënyrë tjetër edhe tash po sfidohem.
Falënderoj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar si Kryetar i GP si dhe PDK-në për besimin e dhënë.
Me respekt, Adem Grabovci. /Insajderi.com