Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë, do të shënohet edhe në Prishtinë. Madje për këtë 17 maj do të ketë edhe një marshim me moton “Dashuria jonë është kushtetuese”.
Në këtë marsh janë ftuar shumë personalitete të politikës vendore dhe ndërkombëtare në vend.
Por në këtë marsh janë ftuar njerëz specifik për të marrë pjesë, edhe pse qëllimi i marshit dhe dita kur mbahet ai është për të luftuar homofobinë dhe transfobinë.
Marshimi është organizuar nga Qendra për Barazi dhe Liri (CEL), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Emancipim Shoqëror (QESh) por asnjëra nga këto organizata nuk e kanë bërë publike këtë marshim.
Por kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri. Atje organizatat për të drejtat e LGBT-së me 14 maj kanë organizuar marshimin me biçikleta kundër homofobisë. Përpara këtij marshimi, është bërë një kampanjë virtuale ku shumë njerëz nga vende të ndryshme të botës kanë ofruar mbështetje për këtë marshim.
Por në Kosovë, organizatat kanë vendosur të heshtin dhe të fshihen duke e mbajtur këtë marshim që është planifikuar të ndodhë në orën 11:00 me nisje nga Sheshi “Skënderbeu” deri tek Sheshi “Zahir Pajaziti”.
Sipas ftesës që i është dërguar personaliteteve të ndryshme, thuhet se ky marshim do të mbledhë individë, organizata, institucione dhe ambasada të ndryshme në Kosovë për të marshuar për të drejtat e komunitetit LGBTI.
Marshi do të pasojë me një koncert në sheshin Zahir Pajaziti”, thuhet në ftesë.
Ky marsh sipas këtyre organizatave edhe pse jo me ftesa publike, ka për qëllim që të ngritet vetëdija kundër homofobisë dhe transfobisë.
Të tri organizatat në këtë ftesë i bëjnë thirrje të ftuarve për të ftuar “persona të tjerë që janë përkrahës të komunitetit LGBTI për ta shënuar këtë ditë”.
Marshimi që pritet të përfundoj në orën 12:00 do të pasojë me një koncert në Sheshin “Zahir Pajaziti” ndërsa në orën 20:00 do të ketë një koktej me komunitetin LGBTI, siç ceket në ftesë “vetëm me të ftuarit”.
Por një aktivitet publik që është paralajmëruar të mbahet nesër është ai i orës 14:00 ku Zyra për Qeverisje të Mirë në bashkëpunim me Organizatat Joqeveritare të cilat merren me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të Komunitetit LGBT organizon konferencën me temën “Të Drejtat e Komunitetit LGBT në Republikën e Kosovës-Progresi dhe Sfidat”. Takimi mbahet në ndërtesën e Qeverisë.