Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se nuk është befasuar nga të gjeturat e testit PISA duke pranuar se pritjet e ministrisë që ai drejton nuk kanë qenë më të mëdha.
Sipas tij, të gjeturat reflektojnë gjendjen e arsimit në vend por ai ka hequr përgjegjësinë e qeverisë lidhur me cilësinë e arsimit, duke ia lënë këtë përgjegjësi shkollave.
“Orientimi i qeverive të kaluara në rindërtimin e shkollave ka qenë i arsyeshëm, sepse kemi pasur mungesë të ambienteve arsimore. Po ashtu edhe përmirësimi i pagave të punëtorëve të arsimit. Por nuk është në mandatin e qeverisë që të përmirësojë cilësinë në arsim. Këtë gjë duhet ta bëjnë shkollat. Duhet një konsensus kombëtar për këtë çështje; që të gjithë të punojnë në këtë drejtim”, ka thënë Bajrami.
Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, ka radhitur Kosovën në vendin e 68 në mesin e 70 shteteve, cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.
Më keq se Kosova renditen Algjeria dhe Republika Dominikane, ndërkohë Singapori është i radhitur në vendin e parë.
Testi “PISA” ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.
Ky është studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim.
Tutje, Ministri Bajrami ka kërkuar që këto rezultate të pranohen normalisht, pasi arsimi në Kosovë është përballur me shumë sfida deri tani, ndaj ngritja e nivelit nuk është punë e lehtë
“Ky vlerësim duhet të merret krejtësisht realisht sepse reflekton gjendjen e arsimit në Kosovë për dy dekada. Që nga fillimi i mandatit kemi thënë se i vetmi kriter për të punuar në sistemin arsimor ka qenë cilësia. Pritjet e ministrisë nuk kanë qenë më të mëdha, sepse e dimë gjendjen në arsim. Kemi pasur shumë vjet kur kemi mundur të flasim vetëm për mbijetesë të sistemit arsimor, e përcjellë me një tjetër periudhë administrimi ndërkombëtar. Tek vonë ne kemi filluar të punojmë në ngritjen e cilësisë në arsim”, ka thënë ai.
“Ky duhet të jetë alarm për të gjithë, për rritjen e investimeve në arsim”, ka shtuar Bajrami në një intervistë për emisionin Ingo Magazina të televizionit Klan Kosova.
“I tërë sistemi arsimor ka nevojë për ngritje substanciale të cilësisë. Nuk mund të themi që duhet vetëm në sektorë të caktuar. Dhe ne jemi duke punuar fort në këtë drejtim”./Insajderi.com