Ministri thotë se numri i viktimave seksuale mund të rritet si veteranët

Ministri thotë se numri i viktimave seksuale mund të rritet si veteranët

Ishte viti 2013, kur në Kuvendin e Kosovës, Shaip Muja, deputet nga PDK-ja, teksa po diskutohej Ligji për viktimat e dhunës seksuale, pati propozuar që të bëhet, siç pati thënë ai, një ekspertizë për verifikimin e grave të dhunuara në luftë.

Një propozim të tillë kishte ngjallur reagime të ashpra duke thënë se kjo është nja hapje e plagës për këto viktima.

Një gjuhë të tillë e ka bërë edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, katër vite më pas, raporton Insajderi.

Ai teksa ka folur për kompensimin e viktimave të dhunës, ka bërë një deklaratë skandaloze, duke aluduar se numri i viktimave të dhunës mund të rritet njësoj sikurse numri i veteranëve, raporton Insajderi.

“Ju po paragjykoni, po folni pa shifra, pa fakte, pa numra, për një kategori që është kategoria më e dhimbshme e shoqërisë, që është kategoria e viktimave të dhunës seksuale. Ku e more shifrën prej 20 mijë? Mos paragjykoni se tani del e njëjta gjë që ka ndodhur me veteranë”, ka thënë Hamza, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Vjosa Osmani.

E Osmani ka reaguar ashpër duke thënë se ministri ka bërë një deklaratë fyese.

“Të thuash se kur flet për gratë të dhunuara, po paragjykon se ajo listë qenka fryrë sikur te rasti i veteranëve, vërtetë është diçka që duhet ta rimendoni edhe njëherë. A e kuptoni cka thatë. Ju po thoni se një grua vjen dhe lajmërohet se është dhunuar pa qenë fare e dhunuar”, ka thënë Osmani, teksa i ka reaguar Hamës./Insajderi.com