Ministria e Drejtësisë edhe një herë është munduar të sqaroj se propozimi për futjen e nenenve për shpifjen dhe fyerjen në kodin penal është bërë duke i marr për bazë praktikat më të mira evropiane.
Ndërsa ka përsëritur se propozimi për ndëshkimin penal të “fyerjes së organeve kushtetuese dhe të simboleve të shtetit” është marrë nga Kodi Penal i RF të Gjermanisë.
Duke shtuar se dispozita penale që ndëshkojnë fyerjen e organeve kushtetuese, të shtetit dhe të simboleve të shtetit kanë edhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian.
“Siç janë: Franca, Italia, Polonia, Greqia, Lituania, Portugalia, Sllovenia, etj. Gjermania do të heq nga viti 2018 fyerjen e kryetarëve të shteteve të huaja, por jo edhe fyerjen e Presidentit Federal të Gjermanisë, e cila do të mbetet dispozitë penale”, thuhet në një njoftim të MD-së.
Kurse përmes një ftese publike thërret të gjitha institucionet gjyqësore dhe prokuroriale, avokatisë, shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve akademike që të ofrojnë opinionet, propozimet apo shqyrtimet e tyre lidhur me nenet që e sanksionojnë fyerjen ndaj organeve kushtetuese dhe simboleve të shtetit.
Sipas MD-se liria e shprehjes, duke përfshirë kritikën ndaj institucioneve shtetërore, është e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë, por thotë se respekti për organet kushtetuese dhe simbolet e shtetit kërkon që kritika të jetë e bazuar dhe jo me qëllime poshtërimi dhe ofendimi. /Insajderi.com