Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka komentuar bllokimin e autobusëve të Kosovës në Durrës duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të moskomunikimit ndërmjet kompanive turistike dhe autoriteteve lokale të Durrësit.
Minxhozi tha për Gazetën Express se kjo ndalesë nuk është bërë vetëm për kosovarët, por për të gjithë autobusët që ndalen në rrugë për të zbritur pasagjerët e tyre, përfshirë këtu edhe kompanitë që udhëtojnë nga Tirana për në Plazhin e Durrësit.
E kjo për shkak të tollovisë që po shkaktohet në komunikacion, por edhe për shkak se në rrugën “Pavarësia” po bëhen ndërtime.
Ka një javë që në Plazhin e Durrësit, u bënë ndalesa për autobusët turistikë që udhëtojnë nga Kosova, e kjo me vendim të Bashkësisë së Durrësit. Bashkia e qytetit bregdetar ka vendosur që të mos i lejojë autobusët të kalojnë e të ndalojnë në rrugën “Pavarësia” me arsyetimin se po krijohet kaos në trafik.
U raportua se kjo ndalesë u bë vetëm për autobusët që udhëtojnë nga Kosova për në Plazhin e Durrësit, gjë që nxiti polemika të shumta e u quajt diskriminim ndaj kosovarëve.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se kjo u shkaktua për shkak se nuk ka pasur një komunikim midis kompanive turistike dhe autoriteteve lokale të Durrësit.
“Nuk ndalen vetëm autobusët që vijnë nga Kosova, por ndalen të gjithë autobusët që vijnë nga Tirana në drejtim të plazhit të Durrësit. Nuk lejohen as autobusët e Kosovës, por as autobusët e firmave/kompanive shqiptare që vijnë kryesisht nga Tirana për në Plazhin e Durrësit, e që janë në të njëjtin numër siç janë ata nga Kosova”, ka thënë ambasadori Minxhozi.
Megjithatë, ai bëri të qartë se kjo rrugë është në ndërtim dhe është e pamundur të menaxhohet për autobusët që kalojnë dhe ndalen në atë zonë.
Ambasadori shqiptar, tha se vetëm nga Kosova janë gjithsej 35 autobusë që udhëtojnë brenda ditës për në Plazhin e Durrësit.
Minxhozi tha se brenda dy ditëve pritet që të ketë një takim ndërmjet Kryetarit të Durrësit Vangjush Dako dhe agjencive turistike ku do të bisedohet për të gjetur një zgjidhje.
Ambasadori ritheksoi se kjo ndalesë nuk është diskriminim ndaj kosovarëve.
“Nuk është diskriminim vetëm ndaj kosovarëve, është një diskriminim për shkak të kushteve që janë krijuar, megjithatë, ka mundësi për të gjetur një dalje, me bisedime. Në qoftë se do të përdorim këtë term, atëherë është diskriminim edhe ndaj pushuesve të Tiranës që shkojnë me të njëjtin numër autobusësh nga Tirana për në Durrës”, tha ai.