Myftiu: Ndoshta do të vijë dita kur do ta ndërtojmë xhaminë pa leje

Myftiu: Ndoshta do të vijë dita kur do ta ndërtojmë xhaminë pa leje

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se nuk dëshiron të komentojë fare peticionin e disa anëtarëve të shoqërisë civile lidhur me kundërshtimin e tyre për projektin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Ai ka thënë se qëndron prapa deklarimeve që i ka dhënë në intervistën e fundit në RTK, ku ka thënë se xhamia do të ndërtohet shumë shpejt pasi që sipas tij kjo gjë tashmë është tepruar.

“Shikojeni intervistën e fundit në RTK. Të gjitha i kam sqaruar aty. Qëndroj prapa asaj që kam thënë në RTK”, ka thënë Tërnava, për Express, të shtunën.

Tërnava në intervistën e bërë në televizionin publik të vendit kishte thënë se Xhamia e Madhe në Prishtinë do të ndërtohet shumë shpejt.

“Xhami do të ndërtohet të jeni të bindur se do të ndërtohet dhe shumë shpejt do të ndërtohet unë nuk jam njëri që di të kërcënoj por çfarë është boll është boll, me këtë Xhami është bërë boll”, ka thënë Tërrnava.

Ai më tutje kishte thënë se shumë shpejt mund të vjen dita kur të niset ndërtimi i kësaj xhamie pa leje dhe të gjitha përgjegjësin do të i merrte Tërnava.

“Ndoshta shumë shpejtë do të vijë dita që të dalim dhe ta nisim xhaminë pa leje dhe atëherë ju bëjë me dije që ai që organizon jam unë, ai që marrë përgjegjësinë jam unë, ai që duhet të burgoset jam unë, të gjitha jam unë, por nuk kam dëshirë të shkojë punën deri aty”, ka thënë Tërrnava.

“Me dhjetëra herë kam kërkuar dhe kërkoj që pesë vjet të jepet leja për ndërtimin e xhamisë, toka është në emrin tonë, projekti është kryer është dorëzua në komunë qe sa vite. Unë kam një presion shumë të madh prej xhematin sepse kjo xhami është shumë domethënëse për komunitetin Mysliman”, kishte thënë Tërnava.