Ngrihet aktakuzë kundër ish-kryetarit të Gjakovës Pal Lekaj

Ngrihet aktakuzë kundër ish-kryetarit të Gjakovës Pal Lekaj

Prokuroria Speciale e Republilës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj dhe dy ish-zyrtarëve të kësaj komune.

Ata akuzohen për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

I akuzuari i parë, sipas Prokurorisë Speciale, ish-kryetar i komunës, së bashku me ish-drejtorin për Buxhet dhe Financa dhe me ish-menaxherin e Prokurimit, po të njëjtës komunë, gjatë muajit mars të vitit 2012, në bashkëkryerje duke kontribuar esencialisht në raport me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre më qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, që t’i shkaktojnë  dëm Komunës dhe banorëve të saj.

“Të akuzuarit me këto veprime kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur më paragrafin 2  nën paragrafit 2.4 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit, për veprën penale që akuzohen, t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykojë sipas ligjit./Insajderi.com