Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër Murat Mehës, Ismet Kryeziut dhe Nemanja Spasicit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Një vendim i aplikuar për herë të parë vetëm ndaj ‘Marigona Rezidenc’, ka bërë që Murat Mehës në cilësinë e Kryeshefit të Agjencionit Kadastral të Kosovës, t’i ngrihet aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Përveç Murat Mehës, në këtë aktakuzë përfshihen edhe Ismet Kryeziu, drejtor ligjor në Agjencionin Kadastral të Kosovës dhe Nemanja Spasiç, shef i zyrës Kadastrale në komunën e Graçanicës.
Në këtë proces, pala e dëmtuar është ‘Marigona Rezidenc’ që pëson një humbje prej rreth 5 milionë eurosh.
I ashtuquajturi ‘mendim profesional’ që kishte dalë nga Agjensioni Kadastral i Kosovës, kishte bërë që ‘Marigona Rezidenc’ të kishte telashe të mëdha në ushtrimin e veprimtarisë, përfshirë: marrjen e kredive, shitjen e shtëpive etj.
Aktakuza është ngritur më 7 nëntor 2016.
Aktakuza është ngritur me arsyetimin se ‘të pandehurit në bashkëkryerje duke filluar nga data 26.09.2014, në vazhdimësi kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që Murat Meha, në cilësinë e Kryeshefit të Përgjithshëm të Agjensionit Kadastral të Kosovës, Ismet Kryeziu, në cilësinë e Drejtorit të Drejtoratit Ligjor në Agjenionin Kadastral të Kosovës e kanë penguar të dëmtuarën “Marigona Rezidenc’ në ushtrimin e veprimtarisë së saj, ashtu që të dëmtuarën e kanë vënë në pozitë të pabarabartë në raport me ligjin e zbatueshëm’./Periskopi/