Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër ministrit për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtic, dhe Nenad Stojqetoviç – Sekretar i Përgjithshëm dhe Mihailo Prlinqeviç – drejtor i departamentit të administratës dhe financave të kësaj ministrie, pasi që dyshohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë.
Sipas aktakuzës në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre me qëllim që të përfitojnë çfarë do dobie për vete apo personin tjetër dhe njëkohësisht ti shkaktojnë dëme Ministrisë përkatëse.
Ministri Jevtiq, sipas aktakuzës në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, ka nxjerr vendimin me të cilin i jepte në shfrytëzim të përhershëm të një automjeti zyrtar pronë e Ministrisë një kompanie private, “përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë komuna e Graçanicës”.
Ndërkaq, dy pandehurit tjerë sipas aktakuzës si persona përgjegjës duke e ditur se një vendim i tillë është i kundërligjshëm ata janë pajtuar me veprime të tilla, duke përgatitur dhe nënshkruar kontratën.