
Nisma për Kosovën ka thënë të mërkurën se ka ardhur koha për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, meqë sipas kësaj partie opozitare, të gjitha institucionet e vendit në tërësi janë jo funksionale.
“Si pasojë e kësaj qeverisje vendi ynë tashmë një vit e gjysmë është në krizë politike. Kjo qeveri nuk arriti të adresoj dhe të zgjidh as edhe një problem me të cilin ballafaqohet Kosova. Kemi një mosbesim dhe mosfunksionim total brenda vet kabinetit qeveritar “, thuhet në një komunikatë për media të Nismës.
“Përfundimisht ka ardhur koha që të nisim iniciativën parlamentare për mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie, ” thuhet tutje në këtë komunikatë.
“E tërë kjo klimë më së miri po shpërfaqet tash e sa kohë në parlament, ku ky koalicion qeverisës edhe me afro 90 deputetë të cilët i ka, që disa herë nuk arrin që të ketë kuorum as për votimin e ligjeve të qeverisë së tyre, e po ashtu kemi edhe shumë nga deputetët e këtij koalicioni që edhe janë deklaruar kundër vazhdimit të këtij koalicioni qeverisës.”