
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se seanca e nesërme do t’iu jap fund spekulimeve të kohës së fundit.
“Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka bërë të gjitha përgatitjet dhe përveç votave të partnerëve, besojmë që do të ketë vota të mjaftueshme për t’i zgjedhur organet e Kuvendit dhe rrjedhimisht për ta votuar qeverinë”, ka thënë Pajaziti.
“Mendoj se ka mund të jetë një interpretim më ndryshe, përndryshe edhe zotëri Krasiniqi e ka sqaruar se kandidat për kryetar kuvendi është zotëri Veseli dhe do të jetë i nominuari dhe do të jetë nesër i zgjedhuri i koalicionit, zotëri Veseli është njeriu i duhur për ta udhëhequr Kuvendin”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kandidat për kryetar kuvendi është Kadri Veseli. Për më tepër ai ka hedhur poshtë të gjitha mundësit që Veseli të mos zgjidhet kryetar.
“Nuk është përgatitur ndonjë skenar, por nëse shkon gjithçka në rregull mund të kryhet edhe votimi i mandatarit të qeverisë. Nesër bëhet zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit”, ka thënë Pajaziti për RTK-në.
“Mendoj se kjo është çështje që mund ta administrojmë brenda koalicionit. Jemi fokusuar për t’iu dhënë udhë proceseve. Çështja e ndarjeve të resoreve është e brendshme dhe teknike”, ka thënë Pajaziti.