Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka kërkuar zyrtarisht nga Qeveria e Shqipërisë të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovës dhe të heqë çmimin referent për pataten kosovare.
Në një reagim, Bajrami ka thënë se do të jenë të obliguar të veprojnë njësoj ndaj produkteve të Shqipërisë nëse Tirana nuk e heq çmimin referent të vendosur për pataten e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë marrëveshje të nënshkruara dhe duhet të zbatohen pasi në të kundërtën humbet arsye e këtyre dokumenteve që kanë firmat e Kryeministrave të dy vendeve”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka kërkuar nga Shqipëria që ta heqë çmimin referent për patatën e Kosovës.
“Qeveria e Shqipërisë të heqë çmimin referent për pataten e Kosovës”, ka thënë Bajrami, duke i lënë vetëm një opsion qeverisë shqiptare.
Ministrja kosovare ka thënë se nëse Qeveria e Shqipërisë nuk reagon në uljen e çmimit referant për pataten që prodhohet në Kosovë, atëherë Kosova do të aplikojë masa reciprociteti me prodhimet që vijnë nga Shqipëria.
“Për rastin e patates tashmë kemi kontaktuar autoritetet shqiptare, kemi kërkuar largimin të menjëhershëm të çmimit referent.Përndryshe, ne do të veprojmë njëjtë për produktet që Shqipëria eksporton në Kosovë. Kam biseduar me Ministrin Hoti, Drejtorin e Doganave të Republikës së Kosovës dhe po punojmë të tejkalohet ky problem”, ka thënë Bajrami.
Edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti ka thënë sot se do të përdor masa reciprociteti me Shqipërinë nëse nuk ulet çmimi referent për patatet e Kosovës në Doganën e Shqipërisë. /Insajderi.com