Pas Naim Bazajt, edhe Rrahim Elshani, kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Drenasit ka hequr dorë nga gara dhe iu është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Unë dhe miku im Rrahim Elshani, jemi të bindur se gjërat që na bashkojnë brenda PDK-së janë më të shumta dhe më të rëndësishme se opinionet e ndryshme që mund të na dallojnë. Prandaj, Rrahimi ndoqi shembullin e bashkëpartiakut tonë tjetër, Naim Bazaj, dhe u dakordua se në këtë garë kandidatura e Ramiz Lladrovcit është alternativa më e duhur për Drenasin”, ka shkruar Veseli.
Ish-kryesusi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Naim Bazaj shpalli kandidaturën e tij për kryetar të Drenasit para rreth 1 muaji, derisa të enjten përmes një takimi me elektoratin e tij, njoftoi se do bashkohej me PDK-në.
Në atë takim të djeshëm, së bashku me Bazajn u paraqit edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili u kontestua nga elektorati i Bazajt, me anë të fishkëllimave. /Insajderi.com