Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për dënimin e Sami Lushtakut me 7 vite burg.
Sipas PDK-së, akuza ndaj Lushtakut që në shkallën e parë ishte hedhur poshtë, është akuzë e pambështetur.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se dënimi i tashëm i z.Lushtaku, për një akuzë të hedhur poshtë nga vetë gjykata më herët, është po aq i pabazuar dhe besojmë se përseri do të rikonfirmohet pafajësia e z.Lushtaku”, thuhet në njoftimin nga PDK.
PDK kërkon që procesi i mbetur gjyqësor ndaj Lushtaku të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike të drejtësisë, “larg çdo tendence të manipulimeve për qëllime që nuk i takojnë drejtësisë”.
Gjykata e Apelit ka bërë publik vendimin për rastin “Drenica I”, duke i shpallur fajtorë të gjithë komandantët dhe ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës. Sami Lushtaku ishte liruar nga akuza për vrasje, por është dënuar për përgjegjësi komanduese. /Insajderi.com