Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës mbrëmë rreth orës 22:00 ka ndërmarrë një aksion në veri të Mitrovicës.
Gazeta Insajderi merr vesh se pjesë e aksionit kanë qenë pjesëtarë të policisë dhe të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI).
Operacioni ka qenë për bastisjen e zyrave të Kryqit të Kuq të Serbisë që vepron në veri të Mitrovicës.
Siç merr vesh Insajderi, gjatë aksionit janë lënduar shumë policë dhe pjesëtarë të AKI-së.
Bastisja është zhvilluar rreth orës 22:00. Pjesëtarët e policisë së bashku me ata të AKI-së janë ndarë në grupe për ta kryer bastisjen.
Për këtë ndërhyrje, Insajderi merr vesh se, qytetarët serbë në veri kanë qenë të njoftuar paraprakisht. Kjo ma bërë që ata të organizojnë pritje ndaj forcave të rendit.
Dyert e zyrave ku ishte planifikuar bastisja, kanë qenë të hapura. Dhe, pas hyrjes së policisë, grupet e qytetarëve i kanë sulmuar ata duke i rrahur.
Sipas informacioneve që posedon gazeta, disave prej tyre u janë marrë edhe armët.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, e ka konfirmuar për Insajderin këtë aksion.
Ai ka thënë se gjatë këtij rasti janë lënduar tre policë nga Stacioni në Veri që kanë asistuar në bastisje.
“Aksioni ka qenë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ne të Mitrovicës vetëm kemi asistuar hetuesit që kanë ardhur nga DPP. Pasi i kanë kryer detyrat e veta në veri të Mitrovicës, një grup prej qytetarëve i ka sulmuar policët. Kemi hapur rast penal për ‘sulm ndaj personave zyrtarë’”, ka thënë Hoti për Insajderin.
Ai ka thënë se nga stacioni i veriut janë lënduar tre policë, kryesisht lëndime të lehta prej goditjeve. Hoti ka thënë se kanë qenë rreth 60 qytetarë që i kanë sulmuar zyrtarët policorë që kanë qenë në aksion.
Gazeta merr vesh se ka më shumë të lënduar, të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor.
Insajderi ka provuar të marrë më shumë informacione nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, por ka qenë e pamundur./Insajderi.com