Policia e Kosovës ka identifikuar sulmuesin e kryeredaktorit të Gazetës Online Insajderi, Vehbi Kajtazi, dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për ta lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit.
Siç njofton Policia e Kosovës, sulmuesi i Kajtazit është identifikuar të jetë Fitim Thaçi – 30-vjeçar dhe shtetas i Kosovës.
“Ne po kërkojmë përkrahjen e qytetarëve për lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit, andaj të gjithë ata që kanë informacion lidhur me të dyshuarin dhe vendndodhjen e tij i lusim që informacionet e tilla t’ia kalojnë policisë ashtu që të mundësohet kapja e tij”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
“Referuar rastit të djeshem, Policia e Kosovës pas zgjerimit të rrethit të hetimit ka identifikuar personin e dyshuar Fitim Thaqi, 30 vjeç, shtetas kosovar, si të dyshuarin kryesor në rastin e sulmit ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi”, thuhet në komunikatë.
Policia ka theksuar se Fitim Thaqi, sulmuesi i kryeredaktorit të Insajderit Vehbi Kajtazi, nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesave për t’u paraqitur tek autoritetet kompetente. PK-ja thotë se i dyshuari i ka ikur arrestit policor.
“Përkunder ftesave që policia i ka dërguar i njejti nuk është paraqitur në polici në përpjekje për t’ iu shmangur arrestit policor”, njofton Policia.
Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten rreth orës 14:30 në qendër të Prishtinës, derisa po qëndronte në njërën prej lokaleve të kryeqytetit kosovar. Pas sulmit, kryeredaktori i Insajderit mori trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK.
Kajtazi deklaroi të shtunën se e ka identifikuar vet personin që e kishte sulmuar, teksa tha se “sulmi ndodhi për shkak të shkrimeve të mija”.
Për këtë sulm ndaj Kajtazit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur sot një protestë në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së fjalës. /Insajderi.com