Politika “zhbllokon” ndërtimin e xhamisë në Prishtinë

Vënia e gurëthemelit për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë, ishte vënë pesë vite më parë. Që nga ajo kohë, përveç zhurmës nuk ishin ndërmarr hapa konkret. Sot, kryetari i Prishtinës deklaroi se kjo xhami do të ndërtohet. Njëjtë deklaruan përfaqësuesit politik të partive brenda Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Politika “zhbllokon” ndërtimin e xhamisë në Prishtinë

Me 8 tetor të vitit 2012, presidentja e atëhershme e vendit Atifete Jahjaga së bashku me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava kishin vënë gurthemelin për ndërtimin e xhamisë në Dardani. Por, që nga ajo kohë nuk ishte pasur asnjë veprim konkret në këtë drejtim, përveç “zhurmës”.

Pas vënies së gur themelit, punime tjera në xhaminë e shumë përfolur – për t’u ndërtuar në lagjën Dardania – nuk kishte.

Kishin kaluar dy vite kur zëdhënësi i BIK-ut, Ali Sadria ishte shfaqur tejet i pakënaqur për mos fillimin e ndërtimit ende të kësaj xhamie, pa e ditur se do kalonin edhe tri vite të tjera, pa ndërruar asgjë.

Në shkurt të vitit 2014, Sadria shpresonte se brenda atij viti do nisnin punimet për ndërtimin e xhamisë. Fajin për këtë ndërprerje të punimeve zëdhënësi i BIK-ut ia kishte vënë Komunës së Prishtinës.

“Faji ka qenë edhe i Komunës së Prishtinës, të cilët nuk na kanë lënë t’i fillojmë punimet, pasi që na kanë kërkuar projektin e detajuar”, kishte deklaruar në atë kohë Sadria.

Sadria priste që në fund të muajit, komuna t’i jepte BIK-ut lejen për ndërtimin e xhamisë së shumë përfolur. BIK-u veçse kishte shpallur fituese të tenderit një kompani turke, teksa kohë më parë i kishte siguruar financat për ndërtimin e xhamisë.

“Ne presim nga fundi i muajit mars që të na dorëzohet projekti i detajuar, ku do të marrim edhe lejen e ndërtimeve nga Komuna, në mënyrë që të caktohet fillimi i punimeve”, deklaronte Sadria

Ndonëse ishte heshtur kjo temë për rreth pesë vite, ajo u riaktualizua përsëri në qershor të këtij viti.

Më 24 qershor Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava u shpreh i qartë se çështja e ndërtimit të Xhamisë në Dardani kishte kaluar limitet, duke kërcënuar se BIK mund të fillojë ndërtimin e kësaj xhamie edhe pa lejen e komunës.

“Xhamia do të ndërtohet të jeni të bindur se do të ndërtohet dhe shumë shpejt do të ndërtohet unë nuk jam njëri që di të kërcënoj por çfarë është boll është boll, me këtë Xhami është bërë boll”, kishte thënë Tërnava.

Tërnava tha se për këtë çështje, organizator dhe përgjegjës do të ishte vetë ai.

“Ndoshta shumë shpejtë do të vijë dita që të dalim dhe ta nisim xhaminë pa leje dhe atëherë ju bëjë me dije që ai që organizon jam unë, ai që marrë përgjegjësinë jam unë, ai që duhet të burgoset jam unë, të gjitha jam unë, por nuk kam dëshirë të shkojë punën deri aty”, ka deklaruar Tërnava në një intervistë në RTK.

Kjo çështje kishte nevojë për një riaktualizim më të fuqishëm. Këtë e dha Bashkësia Islame e Kosovës, përmes një komunikate, katër ditë më parë ku pas takimit me Kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti njoftohej se së shpejti do të fillohej ndërtimi i xhamisë së re në Dardani.

Një ditë më pas këtij njoftimi 30 aktivistë të shoqërisë civile nënshkruan një peticion ku kërkohej të ndalohej ndërtimi i kësaj xhamie me arsyetimin se nuk është në harmoni me objektet e zonës dhe se objekti nuk është në përputhje me kriteret e konkursit.

Por, ky peticion simbolik nuk qonte peshë as për Bashkësinë Islame e as Komunën e Prishtinës e madje madje as për partitë politike.

Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, peticionin e shihte të paarsyeshëm dhe të panevojshëm për të krijuar, siç thoshte ai, zhurmë.

“Unë, nuk arrij të kuptoj këtë zhurmë të panevojshme sot. Nëse plotësimi i kushteve urbanistike është arritur në plotni, pse të ketë peticion?! As organet komunale, e as BIK nuk janë mbi qytetarët, por në shërbim të tyre. Nuk është e nevojshme që publikun ta ngarkojmë me një çështje, e cila është detyrë e këtyre dy institucioneve zyrtare”, kishte deklaruar të shtunën Hamiti.

E në ndërkohë subjekti politik që udhëhoqi më së shumti me kryeqytetin, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), fajësonte qeverinë e tanishme për mos dhënie të lejes për ndërtimin e kësaj xhamie.

“Janë absurde, të paqëndrueshme dhe të papranueshme obstruksionet, bllokadat dhe mosdhënia e lejes për ndërtimin e saj nga organet kompetente të Komunës së Prishtinës”, shkruati ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri.

E ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje që udhëheq me Prishtinën, se po manipulon me ndjenjat e myslimanëve.

“Historia e ‘rrëshqitjes’ morale të VV nuk është e re, nga gjeneza e krijimit të kësaj lëvizjeje, është ndërtuar mbi mashtrime. Nuk ka filluar as mbaron me xhaminë. VV ndërtoi kauza të rreme fund e krye”, tha sot Bujar Cakolli, sekretar i PDK-së në Prishtinë.

E pas kësaj, reagoi edhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai bëri thirrje edhe një herë për “sabër”, duke thënë se xhamia do të ndërtohet, por siç thotë ai, ka nevojë që të rishikohen disa detaje të tjera.

“Xhamia do të ndërtohet, ndërsa detyra e Komunës është që të zbatojë ligjin. Meqenëse është xhamia më e madhe në Kosovë, duhet të kujdesemi edhe për aspektin urbanistik dhe estetik më shumë se për objekte të rëndomta”, deklaroi sot Ahmeti. /Insajderi.com