Pse Perëndimi toleron nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë?

Korrupsioni në Kosovë është endemik. Si kundërpërgjigje ndaj kërkesave të vendeve perëndimore, autoritetet kosovare janë zotuar në shumë raste se do ta luftojnë atë. Por, mosndëshkueshmëria vazhdon të jetë normë.

Pse Perëndimi toleron nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë?

Një studim i publikuar së fundi nga Bashkimi Evropian vlerëson se korrupsioni është i gjithëpranishëm në Kosovë.  Dhe, në një libër po ashtu të publikuar së fundi, unë tentoj të tregoj pse ndodh kjo.  Për ta përmbledhur, korrupsioni është thjesht pjesë e asaj se si sistemi qeverisës i shtetit në të vërtetë vepron, për dallim prej asaj se si në fakt qeverisja do të duhej të funksionojë. Kështu që do të duhet mjaft punë për të reduktuar korrupsionin.  Natyrisht kërkohet parandalim dhe shtypje e këtij fenomeni, por po ashtu edhe ndryshim në pritshmërinë e njerëzve.  Sepse nëse dikush pret që të gjithë të tjerët do të përdorin korrupsionin për të arritur qëllimin e tyre, atëherë ata do të ketë më të lehtë që të bëjnë një gjë të tillë edhe vet, dhe kështu ky rreth vicioz do të vazhdojë.

Për të ndryshuar këtë, veprime simbolike janë të rëndësishme, siç është dënimi i politikanëve prominentë për raste të mëdha të korrupsionit.  Në fakt, mosndëshkimi i rasteve flagrante të korrupsionit është shtytës i fortë për pritshmërinë e shoqërisë, dhe arsyeje e fortë pse korrupsioni është bërë sistematik.

Por, është gjë tjetër që të diskutohet për korrupsionin në terma të përgjithshëm, dhe tjetër gjë që të drejtohet gishti tek raste konkrete.  Ne kemi mjaftueshëm makro-indikatorë të besueshëm por nuk mund t’i përkthejmë ato analiza në shembuj konkret.  Ka shumë dyshime për keqpërdorime nga ana e politikanëve të mirënjohur, por natyrisht, asgjë të sigurt.

Por, një prej rasteve për të cilin ne kemi informacion të besueshëm ka të bëjë me Dr. Enver Hoxhajn, një politikan i mirënjohur.  Detajet janë të komplikuara, por esenca e këtij rasti është mjaft e thjeshtë.  Ka të bëjë me transferim të jashtëligjshëm të një parcelë toke tek një universitet privat, duke dëmtuar kuletën e shtetit në vlerë prej mes 15 milionë euro deri në 20 milionë euro.  Rasti, që daton që nga viti 2010-2011, përshkruhet në një vendim të lëshuar nga misioni i EULEX-it.

Në vendim thuhet se Dr. Hoxhaj, që atë kohë ka qenë Ministër i Arsimit, dhe ministri i atëhershëm i Financave “kanë qenë të përkushtuar për të ofruar parcela toke tek universiteti privat” dhe se ky veprim konsiderohet si krim, më konkretisht keqpërdorim i pozitës.

Në vendim konstatohet se nuk është kryer asnjë krim, për shkak se transferimi i parcelës së tokës nuk është realizuar.  Unë kam shpjeguar në një artikull se ky transferim nuk ka ndodhur për shkak se është bërë publik pasi një hetimi që ishte bërë, dhe pasi që Hoxhaj dhe kolegët e tij ishin njoftuar për këtë hetim.

Dr. Hoxhaj nuk ka provuar që të demantojë këto dhe të pastroj emrin e tij.  Do të kishte qenë e vështirë për të bërë një gjë të tillë për shkak se provat (të cilat unë i kam dhënë EULEX-it) janë fare të qarta.  Pra, edhe pse Dr. Hoxhaj nuk ka kryer asnjë krim në atë rast, sepse transferimi është detyruar të ndalet, ne mund të jemi arsyeshëm të sigurt se qëllimi i tij ka qenë për të bërë një gjë të tillë.

Ky informacion është bërë publik në muajin prill.  Një muaj më vonë, Dr. Hoxhaj është emëruar si Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.  Ambasadorët e fuqive të mëdha perëndimore shpesh e kanë bërë të qartë pakënaqësinë e tyre kur autoritetet e Kosovës kanë qenë duke përmendur emra të dyshimtë për pozicione të larta.  Në këtë rast, ata nuk duket se kanë ngritur ndonjë shqetësim. Por njëjtë ka ndodhur edhe nga publiku në Kosovë.

Në një anë, zgjedhja e një personi të tillë për të përfaqësuar një nga vendet më të korruptuara të Evropës para bashkësisë ndërkombëtare ka qenë një veprim i sinqertë.  Kështu, me këtë zgjedhje, Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës i kanë thënë botës “Po, ne jemi të korruptuar, por ne nuk kemi asnjë problem me këtë.”

Ata që kanë problem me këtë janë qytetarët e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë.  Emërimi i Hoxhajt në atë pozitë, përkundër atij vendimi të EULEX-it, është veprim simbolik, që vetëm sa e përkeqëson problemin e korrupsionit në Kosovë.

Qeveritë perëndimore janë bërë më të zëshme kohët e fundit për të denoncuar korrupsionit dhe me thirrjet e tyre ndaj autoriteteve kosovare që ta luftojnë atë.  Fjalët e tyre do të ishin më të besueshme nëse ata do të ndërmerrnin masa konkrete për të treguar pakënaqësinë e tyre për atë akt simbolik.  Dr. Hoxhaj vazhdon të jetë ministër i Jashtëm i Kosovës ndërsa thirrjet e perëndimit për të luftuar korrupsionin do të jenë thirrje boshe.  Përkundrazi, zëvendësimi i tij, do të dërgonte mesazh shumë më të fortë tek shoqëria.

(Opinioni është publikuar fillimisht në Balkanist.net, ndërsa është përkthyer nga Insajderi.)