Historiani Frashër Demaj, i cili është edhe kandidat për drejtor në Institutin e Historisë së Kosovës, i ka cilësuar të pavërteta pretendimet e këtij institucioni, i cili e ka akuzuar atë për shantazhe e kërcënim ndaj kolegëve aty.
“Është totalisht e pavërtetë. Çfarë ka kërcënuese aty. Si mund të përdori metoda aty kur nuk jam as drejtor, mund ta joshi askënd, as ta korruptoj. Absolutisht kjo është e pavërtetë”, ka thënë Demaj për Gazetën Insajderi.
Sipas tij, kjo është bërë si kundër reagim ndaj një denoncimi që ia kanë bërë drejtorit të Institutit të Historisë, Sabit Syla, për mbajtjen e kundërligjshme të mbledhjes së Këshillit Shkencor.
“Ky është një kundër reagim i një ankese që ne e kemi çuar në Ministrinë e Arsimit, për shkak se drejtori aktual Sabit Syla, pa kuorum dhe në mënyrë të paligjshme e ka mbajtur një mbledhje të Këshillit Shkencor për t’i realizuar premtimet e veta sepse është kandidat për drejtor. Por për kërcënim e shantazhe as që bëhet fjalë”, ka shtuar historiani Demaj.
“Ne dëshirojmë të ju shprehim shqetësimet tona si punëtor të Institutit të Historisë lidhur me këto veprime të cilat po e pengojnë zhvillimin normal të punës sonë dhe të njëjtën kohë po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve tanë përmes metodave të ndryshme antiligjore siç janë kërcënimet, shantazhet e presionet ndaj kolegëve tanë”, thuhet në reagimin e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.
Sipas këtij reagimi, thuhet grupit shantazhues i prinë vetë Frashër Demaj.
“Këtë grup të këtyre personave e udhëheq dhe e përfaqëson Akademik Frashër Demaj, i cili duke pasur disa pozicione në institucione publike dhe private dhe duke e keqpërdorur pozicionin dhe autoritetin direkt, dje dhe sot ka bërë kërcënime dhe presione ndaj disa kolegëve tanë në Institutin e Historisë”, thuhet ndër tjera në reagimin e Institutit të Historisë.
Reagimi i është drejtuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kryetarit të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci dhe ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi./Insajderi.com