Vendimi i nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në lidhje me lirimin e energjisë për qytetarët e pjesës tjetër të vendit që deri më tani kanë paguar për rrymën e shpenzuar në veri, nuk e ka ndërruar shumë situatën.
Rrymën e shpenzuar në veri do ta paguajë Qeveria e Kosovës.
Por, kur të gjitha institucionet u angazhuan shumë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, asnjë nga ta nuk u mor me zgjidhjen edhe të rreth 20% të humbjeve të përgjithshme të energjisë që ndodh për shkak të kyçjeve ilegale, vjetërsisë së rrjetit etj.
Kjo përqindje do të vazhdojë të jetë e pranishme në faturat e energjisë dhe për të cilën asnjë nga institucionet nuk ka qenë në gjendje të tregojë se çfarë veprimesh do të ndërmarrin.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka thënë se nga totali i humbjeve 1.8% janë në transmision ndërsa 16.9 në shpërndarje të energjisë.
Mirëpo, kjo zyrë nuk ka dhënë asnjë përgjigje rreth kyçjeve ilegale që aktualisht po bëhen në rrjet, pos që ka thënë se vlera e lejuar e humbjeve është 33.89 milionë euro, raporton KTV
Gjithashtu ZRRE-ja nuk ka dhënë asnjë detaj se pse nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për pjesën tjetër të humbjeve, duke thënë se kjo çështje do të jetë pjesë vendimmarrëse e bordit të ardhshëm.
Këto veprime, shoqëria civile po i konsideron shkelje të drejtave të njeriut e konsumatorëve.
Pa përgjigje ka qenë edhe KEDS-i, zyrtarë të të cilit nuk kanë pranuar të flasin.
Kjo kompani ka me mijëra lëndë të dërguara nëpër gjykata, e të cilat ende nuk kanë marrë një zgjidhje.
Pikërisht për këtë çështje është dashur një organizim nga Ambasada Amerikane që i mblodhi në shtatorin e këtij vitit gjykatësit dhe drejtuesit e KEDS-it për të gjetur një zgjidhje rreth këtyre lëndëve.