Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Blerim Dina, ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij, pasi ka përfunduar punën, kur në një rrugicë afër shtëpisë së tij është ndalur nga dy persona të cilët e kanë kërcënuar.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Dina, për Insajderin, duke treguar sesi një biznesmen Naim Sallahu pronar kompanisë ‘”Sallahu” dhe një kushëri i Sami Lushtakut, Shaban Lushtaku, e kanë ndalur në rrugë duke tentuar ta detyrojnë që të shkojë të takohet me kryetarin aktual të Skenderajt.
“Në orën 16:01 kam dalë prej zyrës dhe jam nisur për shtëpi. Unë në shtëpi shkoj gjithmonë këmbë. Pasi kalova rrugën kryesore dhe u futa në një rrugicë, dy njerëz më ndaluan dhe më kapen për krahu”, nisë rrëfimin Dina.
Dina i cili në mars të këtij viti u zgjodh nga Kuvendi, kryetar i OSHP-së tha Insajderit se menjëherë i ka njohur dy personat.
“Njëri nga ta është Naim Sallahu, pronar i kompanisë ‘Sallahu’ dhe tjetri është Shaban Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut. Ata dojshin me zor me më qu me pi kafe me Sami Lushtakun”, tha Dina.
“Por unë refuzova sepse nuk kam punë as arsye me u taku me Sami Lushtakun”, shtoi Dina për Insajderin.
Ai thotë se e di edhe arsyen e këtij kërcënimi.
“Është një ankesë në OSHP e bërë nga disa kompani kundrejt një tenderi 21 milonësh në Ministrinë e Infrastrukturës që e ka fituar kompania ‘Sallahu’ pronë e Naimit, njërit prej personave që më kanë ndalur në rrugë”, ka thënë Dina.
Dina i tha Insajderit se madje gjatë kësaj kohe ka folur edhe në telefon me Sami Lushtakun.
“I thash të mi heq këta persona që më kanë ndalur por ai ma mbylli telefonin”, ka thënë Dina.
Pas kësaj, teksa kërcënimi i dy personave vazhdonte, sipas Dinës, aty është paraqitur një shok i tij, që punon në polici dhe pa e ditur se çfarë po ndodhte është ndalur për të folur.
“Në atë moment edhe të dy personat në fjalë kanë vazhduar rrugën e tyre ndërsa unë e kam thirrur Policinë”, ka thënë Dina.
Dina tha se është në pritje të Policisë për të dhënë deklaratën dhe për të hapur rastin e kërcënimit./Insajderi.com