Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës ka bërë një arsyetim sipërfaqësor për një deklaratë që nxiti reagime të ashpëra, madje duke kërkuar dorëheqjen e saj.
Dekalaratën e saj, Teuta Pustina-Krasniqi se “vajzat duhet të kenë kujdes që mos vishen në mënyrë provokative” për të mos u ngacmuar seksualisht dhënë në emisionin “Frontal” në T7, ka thënë të jetë nxjerrë nga konteksti.
“Sa i përket deklaratës, që për së pari e pashë mbrëmë, 24 mars 2018, në Insajder, ndërsa deklarata është e dhënë kohë më parë për Frontal T7, e kam obligim që të ju tregoj se ajo është nxjerrë nga konteksti duke u transmetuar vetëm një pjesë e saj, e jo në tërësi. Kur e them jo në tërësi, mendoj në atë se gjatë intervistës time të dhënë për Frontal T7, nuk kam përmendur vetem gjininë femërore, por edhe atë mashkullore, sepse ky është një fenomen që dëmton imazhin e femr3ës. Universiteti i Prishtinës është institucion serioz, andaj ka nevojë për staf serioz, është institucion që na përfaqëson të gjithëve, femra e meshkuj, kudo që jemi”, thotë Pustina-Krasniqi në arsyetimin e saj.
Por kjo nuk është e vërtetë. Insajderi ka elaboruar gjithë deklaratën ku ajo flet për “veshjet provokative dhe ngacmimet seksuale”. Pustina-Krasniqi në deklaratën e saj përmend vetëm veshjen e studenteve dhe faktin se ato punojnë me profesorë dhe asistent meshkujt.
LEXO të plotë shkrimin: Prorektores që tha se studentet me “veshje provokative” nxisin ngacmime seksuale i kërkohet dorëheqja
“Por, një porosi, do të thotë edhe gjinisë femërore, studenteve, stafit akademik, stafit adminsitrativ, i apeloj që mos të, mos të provokojnë, mos të vishen në mënyrë provokative”, tha Pustina-Krasniqi duke folur për emisionin “Frontal” n’T7 në një storie për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës.
Prorektorja e cila është edhe profesor asistent në Stomatologji degë në Fakultetin e Mjekësisë në UP, ka përdorur bagazhin e saj akademik në fushën e Stomatologjisë, për të dhënë një diagnozë psikologjike mbi ndikimin e veshjeve provokative në mendjen e burrave.
“Sepse ky është një efekt psikologjik, tash po flas nga fusha e mjeksësisë sepse vet vij prej asaj fushe… Është një efekt psikologjik i cili mund të ndikojë shumë negativisht , do të thotë në rrethin ku ai student ose ajo studente, kryen ushtrimet, kryen ligjëratat etj etj”, konstaton Prorektorja.
Teksa fill pas këtij konstatimi, sipërfaqësisht potencon faktin se “asgjë nuk e arsyeton ngacmimin seksual”, menjëherë i kthehet apelit ndaj studenteve që ta kenë parasysh se janë pjesë e një sistemi arsimor ku janë profesorë e asistentë që kryjenë punë serioze.
“Megjithatë i apeloj vajzat e reja që të mos harrojnë se janë pjesë e një institucioni shumë serioz ku kryhen ushtrime dhe ligjërata nga profesorë dhe asistent prandaj edhe duhet ta respektojnë kodin e veshjen”, thotë prorektorja Pustina-Krasniqi.
Ja reagimi i plotë i Pustina-Krasniqit:
I MBROJ DHE I RESPEKTOJ FEMRAT
Të nderuara e të respektuara femra, meshkuj, studente, studentë, kudo që jeni,
Gjatë dy ditëve të fundit, është krijuar një përshtypje shumë e gabuar dhe tërësisht e kundërt me bindjet e mia ndaj gjinisë femërore, dhe në atë se çfarë kam deklaruar.
Po e them këtë sepse kam parë në rrjetet sociale reagime të ashpra nga politikane/ë, pjesëtare/ë të shoqërisë civile dhe qytetarë për deklaratën time, sidoqoftë të keqinterpretuar dhe të nxjerrë nga konteksti lidhur me ngacmimet seksuale.
Për të gjithë ata që nuk më njohin, para se tu shpjegoj me dy fjalë se cila është deklarata e vërtetë e imja, më duhet të ju informoj se jam anëtare në Agjencinë Kosovare për Barazi Gjinore, kam kryer aktivitete të ndryshme në UP rreth kësaj çështjeje kaq sensitive, si inicimi për të përpiluar pyetësor rreth barazisë gjinore në UP si dhe lansimi i tij, dhe poashtu kam aplikuar për një projekt që ka të bëjë pikërisht me Barazinë Gjinore në UP, kemi organizuar konferencën me titull ˝Gratë në Universitetin e Prishtinës, Mundësitë , Përparësitë, E Ardhmja˝ me rastin e 8 Marsit në UP, ku kam bërë të pamundurën që ky event të jetë sa më dinjitoz, e që kishte për qëllim reflektimin dhe bartjen e mesazhit tek bota akademike, si dhe tek gjeneratat e reja, për përpjekjet, arritjet dhe sfidat e grave në zhvillimin akademik. Të gjitha këto janë tregues i mjaftueshëm se një pjesë dërmuese të karrierës sime akademike, sigurisht se ja kam dedikuar avancimit të pozitës së gjinisë femërore.
Sa i përket deklaratës, që për së pari e pashë mbrëmë, 24 mars 2018, në Insajder, ndërsa deklarata është e dhënë kohë më parë për Frontal T7, e kam obligim që të ju tregoj se ajo është nxjerrë nga konteksti duke u transmetuar vetëm një pjesë e saj, e jo në tërësi. Kur e them jo në tërësi, mendoj në atë se gjatë intervistës time të dhënë për Frontal T7, nuk kam përmendur vetem gjininë femërore, por edhe atë mashkullore, sepse ky është një fenomen që dëmton imazhin e femr3ës. Universiteti i Prishtinës është institucion serioz, andaj ka nevojë për staf serioz, është institucion që na përfaqëson të gjithëve, femra e meshkuj, kudo që jemi.
Ajo që e them me bindje të plotë, është se kam luftuar dhe do të vazhdoj të luftoj ashpër kundër të gjitha formave të ngacmimit seksual në UP, dhe jo vetëm, por njëkohësisht edhe në fuqizimin e rregullit të Kodit të Veshjes dhe atij të Sjelljes.
Me respekt,
Teuta Pustina-Krasniqi