Zëvendësministri i Arsimit, Mustafë Myrtaj, i shkarkuar dje nga kryeministri, ka thënë se nuk ka marrë asnjë arsyetim për largim nga kjo pozitë. Myrtaj i takon komunitetit egjiptian të Kosovës.
Madje, pas shkarkimit, ai ka drejtuar një varg akuzash ndaj kryetarit të partisë, Veton Berisha. Kjo e ka bërë atë të japë dorëheqje nga partia, duke thënë se e kanë diskriminuar.
“Të nderuar anëtarë, simpatizantë të PLE-së dhe bashkëqytetarë të komunitetit tim egjiptian, duke mos u pajtuar me zhvillimet e fundit që ndodhën në PLE dhe duke mos u pajtuar me kryetarin e PLE-së z. Veton Berisha, unë jam i obliguar të paraqes dorëheqjen time nga PLE-ja”, ka shkruar ai.
Ai ka numëruar një sërë akuzash ndaj Berishës.
“Sjellja autoritare e z. Veton Berisha ku të gjitha vendimet i merrte kokë në vete dhe pa u konsultuar me askënd. Me financat nga Diaspora ekskluzivisht është marrë kryetari Berisha dhe ka vendosë pa i konsultu organet e partisë edhe pse Këshilli Drejtues e kishte të zgjedhur z. Isuf Berisha përgjegjës për menagjimin e financave nga Diaspora”, ka akuzuar Myrtaj.
“Kryetari i PLE-së Veton Berisha me sjelljet e tij kishte futur përçarje të thella në anëtarësinë PLE-së dhe si rezultat i saj kjo parti humbi shumë degë dhe përkrahës të saj siç është dega e PLE-së në Rahovec, mandej dega e PLE-së në Istog, dega e PLE-së në Gjakovë, dega e PLE-së në Gjermani si dhe shumë anëtarë të respektuar dhe intelektual qe kishte kjo parti”, ka vazhduar Myrtaj ta akuzojë Berishën.
Myrtaj ka thënë se është injoruar nga partia edhe pse ishte zëvendësministër.
“Moskomunikimi me mua si zv.Ministër dhe injorimi total të cilin kryetari Berisha e kishte bërë gjatë gjithë kësaj kohe ku i njëjti në bashkëpunim me Bashkim Krasniqin nga Fushë Kosova dhe disa persona tjerë kishin krijuar një klan brenda PLE-së të cilët si të tillë vetë i merrnin vendimet dhe i injoronin të gjitha organet e partisë dhe në vazhdimësi bënin shkelje të statutit dhe të parimeve bazë të PLE-së
Sipas tij, si rezultat i këtyre arsyeve por edhe i arsyeve tjera ishte i shtyrë ta ndërmerrte këtë veprim.
Këto mosmarrëveshje mes Myrtajt dhe kryetarit të partisë, Veton Berisha, u kanë kushtuar këtyre me shkëputje të marrëdhënieve familjare, ndonëse janë lidhje të tilla.
“Dua të theksoj se për shkak të nënçmimit dhe të denigrimit që ma bëri kryetari i PLE-së dhe për shkak se ne jemi me të edhe familjarë, fatkeqësisht nga ky moment i ngrijmë dhe i shkëpusim marrëdhëniet familjare dhe njerëzore përgjithmonë”, ka shkruar ndër tjera tashmë ish-zëvendësministri i Arsimit, Mustafë Myrtaj.
Kurse kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, i ka thënë Insajderit se nuk do të merret me akuzat e Myrtajt.
“Nuk do të merrem me akuzat e z. Myrtajt. Do të kërkoj që të gjitha akuzat e tij të vërtetohen në gjykatë, dhe cilido që ndihet fajtor të gjykohet”, ka thënë shkurt Berisha për Insajderin.
Ai ka thënë se shkarkimi i Myrtajt ka ardhur me vendim të partisë./Insajderi.com