Dogana e Shqipërisë ka vendosur referenca tregtare për prodhimet kosovare. Këtë e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.
“Sot, në Odën Ekonomike të Kosovës qëndroi një grup i fermerëve dhe prodhuesve kosovarë që merren ekskluzivisht me prodhimin e qepëve dhe patateve ku shprehën shqetësimin e tyre për vështirësitë e eksportit të prodhimeve ‘Made in Kosova’ në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Këta prodhues, sipas OEK, janë ballafaquar me këto problem edhe në të kaluarën por gjithnjë duke menduar se këto sfida i takojnë të kaluarës pasi që janë organizuar debate të shumta dhe takime, qoftë në nivel të presidentëve apo edhe ministrave por problemet për bashkëpunim me Shqipërinë vazhdojnë edhe më tutje.
“Doganat e Shqipërisë kanë vendosur një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës të rritet referenca tregtare nga 0.14 në 0.18 Euro, që nënkupton një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë.”, thuhet në njoftimin e OEK.
Sipas Odës Ekonomike të Kosovës është shqetësuese kur masa të tilla kundër produkteve kosovare ndërmerren mu në kohën e sezonit turistik ku pjesa dërrmuese e vizitorëve janë nga Kosova, dhe në prag të takimeve dhe Samiteve Rajonale dhe Evropiane ku promovohet bashkëpunimi Ekonomik duke eliminuar barrierat e të bërit biznes si parakusht i integrimit ekonomik në familjen evropiane.