Qytetarët e Prishtinës do të protestojnë para Teatrit Kombëtar në ora 12:00, në shenjë pakënaqësie me nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet, i cili ka marrë përmasa shqetësuese.
Ndryshe, sot Policia e Kosovës ka filluar së zbatuari masat emergjente të dala një ditë më parë nga një takim ndërmjet zyrtarëve të Komunës së Prishtinës me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, si dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, që kanë për qëllim uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet.
Në këtë takim janë dakorduar që të bëhet reduktimi i numrit të makinave që qarkullojnë në kryeqytet, qoftë përmes ndaljes të të gjitha makinave që vijnë nga qytetet tjera, në hyrjet e kryeqytetit, në intervalet kohore 06:00-09:00 dhe 16:00-22:00; qoftë përmes seleksionimit të qarkullimit të makinave varësisht numrit të targave në të gjithë qytetin e Prishtinës (targat që numrin e fundit e kanë tek, qarkullojnë në datat tek; targat që numrin e fundit e kanë çift, qarkullojnë në datat çift).
Po ashtu do të sigurohen hapësira për parkim në hyrje të kryeqytetit, derisa të tejkalohet kjo fazë emergjente.