Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të publikuar të mërkurën ka theksuar “shqetësimet për propozimin për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.
Stoltenberg, që ka zhvilluar gjatë ditës biseda telefonike me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, thotë se “NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje”.
“Sot kam biseduar me Hashim Thaçin dhe me Isa Mustafën që t’ua përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur, pa ndryshime kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”, ka thënë Stoltenberg.
“Në vitet e fundit, NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje të institucioneve të Kosovës në përputhje me kushtetutën e tyre”, ka shtuar ai.
“Megjithkëtë, nëse mandati i FSK-së evoluon tani në mënyrën e propozuar, do t’i duhet NATO-s që ta vlerësojë nivelin e përkushtimit të saj posaçërisht në fushën e ndërtimit të kapaciteteve”.
“E kam bërë këtë të qartë gjatë vizitës sime në Kosovë në shkurt dhe e kam ripërsëritur në bisedat telefonike të zhvilluara sot. Jam në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e mi në BE”, përfundon deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.