Presidenti i vendit Hashim Thaçi është lajmëruar nga Brukseli atje ku nesër do të jetë pjesë e takimeve së bashku me kryeministrin Isa Mustafa, me autoritetet serbe, përkatësisht presidentin Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq.
Nga atje, Thaçi ka paralajmëruar se në këtë takim i cili nuk ka temë të specifike, pritet të nisë faza e fundit e dialogut me Serbinë.
“Besoj se është momenti i fundit të hapet dialogu për relacionin mes Serbisë dhe Kosovës, për marrëdhëniet normale mes dy vendeve. Duhet të hapet një kapitull i ri dialogu, mes presidentësh që si qëllim ka marrëdhëniet e mira mes dy vendeve”, ka thënë Thaçi në “InfoBox” të RTV Dukagjini.
Thaçi nuk ka treguar se sa mund të zgjasë kjo fazë e dialogut mes presidentëve.
Presidenti ka thënë se ku kapitull i ri bisedimesh duhet të jetë i fundit dhe se Kosova do të ketë kërkesë të qartë para BE-së dhe Serbisë.
“Do të kërkohet që të dy vendet të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se Kosova do të kërkojë gjithashtu edhe largimin e të gjithë të kërkuarve nga Serbia përmes INTERPOL-it, nën akuzat për krime lufte./Insajderi.com