Veseli i mëson përmendësh disa fjali, i thotë në dy takime

Veseli i mëson përmendësh disa fjali, i thotë në dy takime

Brenda dy ditëve, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Kadri Veseli, ka përsëritur dy herë të njëjtat fjali në dy takime me strukturat e partisë, në Prizren të premtën dhe në Mitrovicë të dielën.

Veseli të premten vizitoi strukturat e PDK-së në Prizren. Aty, ai tha se ekonomia e Kosovës ka ngecur dhe tregojë arsyen pse vendi po shkon në zgjedhje.

“Dua të jem fare i qartë – arsyeja pse ne po shkojmë në zgjedhje është sepse ekonomia jonë ka ngecur, krijimi i vendeve të punës ka stagnuar, dhe ne nuk po lëvizim drejt integrimit të vendit në BE në ritmin e duhur. Arsyeja pse ne po shkojmë në zgjedhje nuk ka të bëjë me asnjë arsye politike apo për shkak të PDK-së, kjo po ndodhë për shkak se lidershipi i Mustafës dështoi para qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

E të njëjtat fjali, kryeparlamentari Veseli i përsëriti edhe gjatë një takimi me strukturat e PDK-së dy ditë më vonë, në Mitrovicë. Përveç pjesës “Dua të jem fare i qartë”, i gjithë fjalimi i Veselit u përsërit në Mitrovicë.

“Arsyeja pse po shkojmë në zgjedhje është sepse ekonomia jonë ka ngecur, krijimi i vendeve të punës ka stagnuar dhe s’po lëvizim drejt integrimit të vendit në BE në ritmin e duhur. Arsyeja pse po shkojmë në zgjedhje nuk ka të bëjë me asnjë arsye politike apo për shkak të PDK-së, por për shkak se lidershipi i Mustafës dështoi para qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Veseli, duke dhënë deklaratë të ngjashme sikurse ajo e dy ditëve më parë në Prizren.

Veseli është nominuar nga PDK-ja për kryeministër të Kosovës, për zgjedhjet që pritet të mbahen më 11 qershor të këtij viti.

Qeveria e Kosovës, e cila ishte e formuar nga koalicioni PDK-LDK, është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit, i cili u iniciua nga opozita. Ky mocion, megjithatë, u mbështet edhe nga PDK-ja në pushtet. /Insajderi.com