Sot, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, takuan ambasadorin amerikan Greg Delawie.
Në këtë takim u vlerësua mbarëvajtja e zgjedhjeve të 11 qershorit, u diskutua procesi i formimit të institucioneve të legjislaturës së gjashtë si dhe sfidat e punët që e presin qeverinë e ardhshme dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi.
Siç njofton Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate, në takim u trajtuan shumë tema si ajo e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të diasporës, marrëdhënies së Kosovës me Serbinë etj.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje përsëritën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për zgjerim të partneritetit dhe thellim të aleancës së Republikës së Kosovës me ShBA-të. /Insajderi.com