Milaim Zeka, deputet i Nisma për Kosovën, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se disa media po përdorin studiot televizive për të bërë gjyqe publike ndaj të tjerëve, por ka deklaruar se të njëjtën gjë do ta bëjë edhe ai ndaj tyre në Kuvend.
Për këtë, ai ka përmendur televizionin kombëtar KTV dhe drejtuesin e një emisioni televiziv, gazetarin Adriatik Kelmendi.
“Fëmijët e këtyre faqezinjve të cilët na kanë dënuar dje, sot po na bëjnë nëpër studio gjyqe publike”, ka thënë Zeka, i cili ka përmendur veprimet e gjyqtarit të dikurshëm Flamur Kelmendi, babait të Adriatik Kelmendit, kundër veprimtarëve politikë.
“Unë si deputet nuk do të toleroj. Edhe unë do të bëjë gjyq publik së pari nga foltorja e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Zeka.
Zeka ka bërë edhe një pyetje parlamentare për zëvendëskryeministrin Behxhet Pacolli. “E kam një pyetje për z. Pacolli. A do të ishte më mirë që si zëvendëskryeministër që kompania e tij ta tërhiqte akuzën ndaj shtetit në Gjykatën e arbitrazhit”, ka thënë Zeka.
Për më tepër, Flamur Kelmendi ka qenë zëvendësprokuror derisa e kanë larguar nga puna në shtator të vitit 1990 me akuzën ‘nacionalist shqiptar në organet e drejtësisë’.