​Haradinaj skeptik për rezultatin e dialogut me Serbinë

​Haradinaj skeptik për rezultatin e dialogut me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se tani është koha t’i qasemi Parlamentit Evropian, pasi që puna më e madh është atje.

Haradinaj ka thënë se deri me 12 korrik më së largu do ta kemi vlerësimin e komisionit, dhe për këtë ai ka shtuar se njerëzit tanë që qarkullojnë kah Parlamenti i BE-së, tani duhet të aktivizohen.

Ai e ka konsideruar me fat shtetin e Kosovës që tani Këshilli i BE-së nuk ka diskutuar për liberalizimin e vizave, por për hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë.

“Ne diku deri më 12 korrik më së largu do ta kemi vlerësimin e Komisionit edhe ai Komision. Njerëzit tonë që qarkullojnë kah Parlamenti i BE-së, tani duhet të aktivizohen çofshin konsull, çofshin ambasador, çofshin staf diplomatik, por të gjithë ata që kanë mundësi dhe akses në Parlament, duhet të aktivizohen për agjendë. Tash është koha kur ne duhet t’i qasemi Parlamentit të BE-së, puna në Kosovë është kryer 95 kriteret e liberalizimit të vizave janë të kryme”, u shpreh ai.

I pari i ekzekutivit u shpreh skeptik për dialogun Kosovë-Serbi, pasi sipas tij mënyra më e mirë për të pasur rezultate të prekshme, është me hy një fuqi e re, si Amerika apo ndonjë shtet evropian.

“Unë jam skeptik se ka rezultat në këtë dialog, sepse janë të njëjtit njerëz, është Mogherini  dhe Angelina Eichhorst, janë aty të njëjtit prej që pesë vjet, presidenti Thaçi, presidenti Vuçiq janë të njëjtë. Nuk e kuptoj qysh këta mundemi përnjëherë diçka me ndryshuar, nuk ka ndodhur kurrgjë ndryshe, nuk e kuptoj pse lëvizin gjërat menjëherë”, ka thënë Haradinaj. /Insadjeri.com