
Ish-ministri i Punëve të Jashtme nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se politika e Beogradit ka për qëllim të mbrojë dhe të promovojë kriminelët dhe jo t’i përndjekë ata penalisht, transmeton Insajderi.
Kështu është shprehur ai në një postim në llogarinë e tij të Twitterit, ku ka shkruar se Serbia nuk ka dështuar në përndjekjen penale të kriminelëve të luftës sepse kurrë nuk ishte qëllimi i tyre për ta bërë këtë.
Arratisja nga burgu e kriminelit të luftës Rajko Kozllina, i cili ishte dënuar me 15 vjet burgim për masakra të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, sipas Hoxhajt, Serbinë e bënë të mbetet shtet gjenocidal.
“Serbia nuk ka dështuar në përndjekjen penale të kriminelëve të luftës sepse në fakt kurrë nuk ishte qëllimi i tyre për ta bërë këtë! Politika e Beogradit ka për qëllim të mbrojë dhe promovojë kriminelët. Arratisja e dikujt përgjegjës për vdekjen e 27 civilëve të paarmatosur tregon qartë se Serbia mbetet një shtet gjenocidal”, ka shkruar Hoxhaj. /Insajderi.com